Në konferencën e sotme për media, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se deri më tani në hetim janë përfshirë 26 persona, por ky numër nuk do të jetë përfundimtar. Ai dha informacione edhe se si shefat e policisë kanë gisht në tragjedinë e Koçanit.
“Deri më tani janë të dyshuar 26 persona dhe lista e të dyshuarve nuk është e mbyllur, një numër i madh i personave janë të përfshirë në hetim”, tha Toshkovski.
Toshkovski tha se deri më tani 18 persona janë caktuar në paraburgim, ndërsa shtatë do të sillen para gjykatësit në procedurë paraprake, plus një person tjetër që është një nga udhëheqësit për momentin në Ministrinë e Ekonomisë.
Procedura e hapur e sotme ndaj shtatë punonjësve të policisë është për shkak të rolit të tyre në dhënien e licencës aktive për diskotekën “Pulse”, e cila nuk plotësonte kushtet bazë ligjore.
Toshkovski sot në një konferencë për media shpjegoi detaje nga ngjarjet që çuan në tragjedinë në Koçan.
Në mesin e të dyshuarve është edhe kryeinspektori për punë të komunikacionit në SPB Shtip dhe një inspektor i pavarur, të cilët sipas pretendimeve të tyre kanë konstatuar plotësimin e kushteve ligjore të diskotekës “Puls” në fushën e mbrojtjes së rendit dhe qetësisë publike.
I dyshuari i tretë dhe i katërt, si shef i Departamentit të Policisë në SPB Shtip dhe shef i SPB Shtip, kanë aprovuar dhe nënshkruar një raport në Ministrinë e Ekonomisë, në të cilin kanë vërtetuar se klubi i plotëson kushtet ligjore, ndonëse nuk kanë bërë kontroll të plotë para se të aprovohet pëlqimi pozitiv për dhënien e licencës.
“Konstatuan se kabareja i plotëson kushtet për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe për komunikacion. Ata miratuan dhe nënshkruan njoftim në Ministrinë e Ekonomisë në të cilën konstatuan se kabareja i plotëson kushtet ligjore përkundër faktit se nuk kanë kryer kontroll. Ata përgatitën telegram në të cilin nuk kishin futur të dhëna të sakta dhe të plota se ka raportime për prishje të rendit dhe qetësisë në afërsi të kabaresë”, tha Toshkovski.
Ai shtoi se veprimet e këtyre personave kishin të bënin me dhënien e licencës për vitin 2023.