Presidenti Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Ukrainën, që do të zhvillohen sot në Stamboll.
Menjëherë pas njoftimit të Kremlinit, një zyrtar amerikan tha se edhe presidenti amerikan, Donald Tramp, nuk do të merrte pjesë në bisedime.
Ai më parë kishte sugjeruar se do të udhëtonte për në Turqi, vetëm nëse Putini do të ishte i pranishëm.
Presidenti ukrainas, Zelenski, do të jetë sot në kryeqytetin turk, Ankara, për t’u takuar me presidentin, Rexhep Taip Erdogan, mirëpo edhe ai ka thënë se do të merrte pjesë në bisedimet me Rusinë në Stamboll, por vetëm nëse Putini do të ishte atje.
Këshilltari i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, Mikhailo Podoliak, ka deklaruar se nëse presidenti rus nuk shkon në Stamboll për takimin me homologun e tij ukrainas, Volodimir Zelenski, atëherë negociatat mund të anulohen.
Zelenski e sfidoi Putinin në një takim ballë për ballë në Turqi, pasi udhëheqësi rus bëri thirrje për negociata të drejtpërdrejta Rusi – Ukrainë në Stamboll.
Putini dhe Zelenski nuk janë takuar personalisht, që nga dhjetori i vitit 2019.





