Mbrëmë, në një tubim madhështor në Haraçinë, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmbylli takimet mobilizuese të partisë me një fjalim të mbushur me mesazhe të qarta për barazi, partneritet dhe mbrojtje të themeleve të shtetit multietnik.
Përpara një salle të tejmbushur me qytetarë, familje dëshmorësh, invalidë lufte, bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe strukturat e BDI-së, Ahmeti dërgoi sinjale të forta ndaj atyre që tentojnë ta kthejnë vendin pas në kohë.
“Ne nuk e marrim shtetin – ne e drejtojmë pjesën që na takon! Shqiptarët janë mbi 30%, jetojnë në trojet e veta në kontinuitet dhe janë pjesë e pandashme e shtetformësisë!” – deklaroi Ahmeti, duke kundërshtuar diskursin frikësues se shqiptarët po “e marrin shtetin”.
Në qendër të fjalimit të tij ishte një thirrje publike drejtuar Kryeministrit Kristian Mickoski, ku Ahmeti kërkoi përgjigje të drejtpërdrejta për politikat që, sipas tij, rrezikojnë themelet e bashkëjetesës dhe paqes.
**“Nga ky takim në Haraçinë, i bëj thirrje Kristian Mickoskit të dalë para qytetarëve shqiptarë dhe të shpjegojë:
- Pse po e ndryshon Ligjin për Gjuhët?
- Pse po e rishikon Marrëveshjen e Ohrit?
- Pse po e rrezikon paqen, stabilitetin dhe sigurinë e shtetit?”**u
Ahmeti paralajmëroi edhe për përpjekje për të përçarë shqiptarët dhe për t’i zëvendësuar me të ashtuquajtur “shqiptarë të ndershëm”, duke e krahasuar këtë diskurs me ideologjitë e së kaluarës.
“A e dini kush përdorte filozofinë e ‘shqiptarëve të ndershëm’? Millosheviçi! Kushdo që sot promovon këtë ide, po ringjall një logjikë që shqiptarët e kanë mundur me gjak dhe sakrificë.”
Lideri i BDI-së theksoi se shqiptarët nuk do të pranojnë të kthehen në “hyzmeqarë në shtëpinë e tyre” dhe se koha e shtypjes dhe heshtjes ka përfunduar.
“Na kanë mbajtur të shtypur, të frikësuar e të dëbuar – por kjo përfundoi me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.
Sot kemi tre universitete shqiptare dhe mijëra kuadro profesionale. Asnjë forcë nuk mund ta ndalë këtë realitet!”
Duke kundërshtuar idenë e një shteti monoetnik, Ahmeti deklaroi:
“Ky shtet nuk mund të drejtohet më nga një palë e vetme. Nuk është në interesin e askujt të rrezikohet bashkëjetesa. Kush i shërben të keqes, nuk mund të jetë partneri ynë!”
Në përmbyllje, Ahmeti bëri thirrje për paqe, për një Evropë të bashkuar dhe për lëvizje të lirë, duke e kundërvënë konceptit të “shteteve të mëdha” një vizion të qartë për integrim dhe bashkëpunim rajonal.
“Ne nuk kërkojmë Shqipëri të Madhe, Serbi të Madhe apo Bullgari të Madhe – por një Evropë të Madhe, pa kufij, siç janë Gjermania dhe Franca. Ballkani Perëndimor i bashkuar në Bruksel, në paqe dhe pajtim përfundimtar.”
Fjalimi u përmbyll me një porosi simbolike:
“Rrofshi e qofshi ju, dhe qofshin të gjithë popujt liridashës!”





