Kompania ndërkombëtare “Shahterm” ka vendosur gurthemelin për një investim të madh në Maqedoni, me një projekt që në fazën e parë kap vlerën prej 25 milionë euro dhe sjell krijimin e 200 vendeve të reja pune. Në planin afatmesëm, investimi pritet të dyfishohet në 50 milionë euro, ndërsa numri i të punësuarve të arrijë mbi 500.
Në ceremoninë e inaugurimit, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, vlerësoi projektin si një dëshmi e qartë e stabilitetit ekonomik dhe atraktivitetit të vendit për investitorët e huaj. Ai theksoi se ky investim kontribuon në forcimin e industrisë vendase dhe rritjen e eksportit.
“Ky është projekt që jo vetëm e zhvillon ekonominë, por edhe e konfirmon stabilitetin dhe përparimin e vendit tonë. Sot vendosim gurthemelin jo vetëm të një fabrike, por edhe të një të ardhmeje të re,” u shpreh Mickoski.
Kryeministri gjithashtu prezantoi disa nga treguesit më të fundit ekonomikë që sipas tij tregojnë për një kahje pozitive të zhvillimit të vendit:
- Prodhimi industrial është rritur me 5,2% në mars 2025 krahasuar me një vit më parë;
- Investimet e huaja direkte për vitin 2024 arritën në 1,255 miliardë euro – niveli më i lartë për kokë banori në Evropë;
- Inflacioni është stabilizuar në 2,7% në mars dhe 2,6% në prill;
- Pagat mesatare janë rritur nga 9 deri në 10% në vit;
- Aktiviteti kreditues i bizneseve dhe qytetarëve është rritur me 13% në tremujorin e parë të 2025 – gjashtë herë më shumë se mesatarja e BE-së.
Për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm, Mickoski falënderoi të gjithë aktorët kyç, përfshirë drejtorin e Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale, Goce Dimovski, ambasadorin e Turqisë në Maqedoni dhe pronarin e kompanisë “Shahterm”.
“Falënderoj investitorin për besimin e dhënë vendit tonë si një destinacion i sigurt dhe perspektiv për zhvillimin e biznesit,” shtoi ai.
Fabrika e re pritet të përfundojë ndërtimin brenda pak muajsh dhe të luajë një rol kyç në zhvillimin industrial të vendit, si dhe në zgjerimin e pranisë së Maqedonisë në tregjet ndërkombëtare.





