Trendy

Deputeti Adnan Azizi godet Taravarin: “Nisi nga populli, përfundoi në stanet e Aliut!”

Para 10 muaj

Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj largimit të Arben Taravarit nga koalicioni opozitar dhe afrimit të tij me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI). Në një postim të drejtpërdrejtë dhe plot metafora në Facebook, Azizi e quan këtë hap “sallto mortale” politike, që nga rruga e premtuar drejt popullit, përfundoi në “stanet e Aliut”.

“Tha, po dal prej Qeverisë dhe po kthehem te populli! A në fakt, përfundoi te stanet e Aliut,” shkruan Azizi, duke ironizuar vendimin e Taravarit për t’u larguar nga VLEN dhe për t’u afruar me BDI-në — partinë që për dekada ka qenë kundërshtari kryesor i Aleancës për Shqiptarët dhe opozitës shqiptare në përgjithësi.

Azizi nënvizon se shumë njerëz e kanë pyetur për arsyet e këtij kthimi të papritur, por ai e sheh këtë si rezultat të presionit dhe shantazhit politik.

“Përgjigjja ime ka qenë se, pak ka rëndësi kjo, bile aspak, duke pasur parasysh faktin se të gjithë e kemi të njëjtin konstatim: u kap, po shantazhohet dhe po detyrohet të shkojë në prehër të ‘hasmit’,” thekson Azizi.

Deputeti i VLEN lëshon edhe një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Taravarit, duke kujtuar fatin e politikanëve të tjerë që kanë bërë lëvizje të ngjashme, si Vesel Memeti: “Je epizoda e dytë e quajtur Vesel Memeti, e do të përfundojsh si ai, pasi në fund, oferta e Ali Ahmetit për ty do të përfundojë me kushtin që të ikësh nga këtu, e të shkosh ambasador në ndonjë shtet ku Aliu të të ket sa më larg!”

Mesazhi i Azizit është i qartë: përkrahësit e Aleancës për Shqiptarët dhe të koalicionit VLEN nuk do të ndjekin Taravarin në rrugën drejt BDI-së, pavarësisht retorikës patriotike.

“Votuesi, simpatizanti, aktivisti i ASH-së nuk shkon e as nuk e voton BDI-në, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë,” përfundon ai, duke konfirmuar se VLEN vazhdon rrugën e saj opozitare pa Taravarin, por me më shumë vendosmëri.

Trending