Shqipëria po përjeton një bum turistik si asnjëherë më parë, me të ardhura që kapin shifrën e 874 milionë eurove vetëm në tre muajt e parë të vitit. Ky është një sinjal i qartë se vendi fqinj po kthehet në një prej destinacioneve më të preferuara të rajonit, përfshirë edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, krahas fluksit të madh të turistëve nga Europa, një numër i konsiderueshëm i vizitorëve vijnë nga Tetova, Shkupi, Gostivari e Kumanova, duke zgjedhur brigjet shqiptare për pushime, sidomos në muajt e pranverës dhe verës.
“Rruga e përmirësuar drejt bregdetit, mikpritja, çmimet konkurruese dhe kultura e përbashkët po e bëjnë Shqipërinë gjithnjë e më tërheqëse për tetovarët,” – shprehen disa agjenci turistike lokale në Tetovë.
Ndërkohë, shqiptarët vetë nuk janë kursyer për të udhëtuar jashtë vendit, duke shpenzuar afro 879 milionë euro në udhëtime turistike në vendet e tjera – një tjetër shifër rekord.
Rritje me ndikim rajonal
Rritja e turizmit në Shqipëri nuk është vetëm një sukses i brendshëm, por po ndikon drejtpërdrejt edhe në lidhjet turistike dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bizneset që ofrojnë shërbime udhëtimi, transporti dhe akomodimi nga Tetova dhe rajoni po përfitojnë gjithashtu nga ky trend.
Ekspertët e turizmit parashikojnë që sezoni veror do të thellojë më tej këtë rritje, me më shumë shqiptarë të Maqedonisë që do të zgjedhin Shqipërinë për pushimet e tyre 2025.










