Jazhincë, 14 Qershor 2025 – Disa zyrtarë policorë që shërbejnë në pikën kufitare të Jazhincës po denoncojnë një trajtim të padrejtë dhe selektiv nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke u shprehur se ndihen të maltretuar nga urdhrat e përsëritur për transferime të përkohshme në pika të tjera kufitare.
Sipas burimeve brenda strukturave të sigurisë, një pjesë e këtyre zyrtarëve po dërgohen deri në gjashtë herë në vit, me urdhër të shkruar njëmujor, për të kryer detyra policore në pikën kufitare të Bllacës, rreth 100 kilometra larg vendbanimeve të tyre.
“Po keqtrajtohemi në mënyrë të hapur. Vetëm një pjesë e vogël prej nesh selektohet vazhdimisht për t’u transferuar. Është një lodhje fizike dhe psikologjike e panevojshme për shkak të distancës dhe ndërrimeve të gjata,” – thekson një zyrtar që preferon të mbetet anonim.
Punonjësit e prekur nga këto vendime kërkojnë që MPB-ja të trajtojë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë të gjithë zyrtarët, duke respektuar edhe nevojat familjare, sociale dhe logjistike të stafit policor.
Ata i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse dhe sindikatave që të reagojnë dhe të ndërmarrin hapa konkret për të ndalur këtë praktikë që ata e konsiderojnë si “shkelje të dinjitetit të punonjësit të policisë”.










