Drejtori i ndërmarrjes publike EMV–Furnizim me Ngrohje, Ali Ismaili, ka bërë të ditur se janë realizuar tre punësime të reja dhe tre avancime në pozita udhëheqëse, në kuadër të transformimit të brendshëm të ndërmarrjes. Në një status publik, Ismaili thekson se këto vendime janë marrë në përputhje të plotë me parimet e transparencës, profesionalizmit dhe meritokracisë.
“Në EMV nuk ka më vend për emërime politike apo interesa personale. Çdo punësim dhe avancim bazohet në përvojë, angazhim dhe aftësi profesionale”, theksoi Ismaili.
Ai shtoi se ky është një hap konkret drejt ndërtimit të një administrate moderne dhe efikase, duke zbatuar filozofinë e qeverisjes së re të përfaqësuar nga VLEN. “Kjo është vetëm fillimi. Investimi në njerëzit e duhur është çelësi për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët tanë. Vazhdojmë me përkushtim të plotë”, u shpreh drejtori i EMV-së.











