Trendy

𝐓𝐞𝐭𝐹𝐯𝐚: 𝐐đČ𝐭𝐞𝐭𝐱 đȘđžÌˆ đ©đ«đžđ­ đ­Ă« đąđ€đž

Para 9 muaj

Shkrim nga Agron Shaqiri
Tetova Ă«shtĂ« njĂ« qytet qĂ« kujton mĂ« shumĂ« se sa jeton. Nuk Ă«shtĂ« vend, Ă«shtĂ« kujtim. Kujtim i njĂ« perandorie qĂ« iku, i njĂ« bashkĂ«jetese qĂ« s’u shkrua kurrĂ« nĂ« ligj, por u gdhend nĂ« heshtje. NjĂ« qytet qĂ« mĂ« shumĂ« e kanĂ« shpikur tĂ« tjerĂ«t, sesa e kanĂ« ndĂ«rtuar. Ajo nuk ka nevojĂ« pĂ«r histori tĂ« re, ka mjaft, e me tĂ« vjetrĂ«n qĂ« nuk di ç’tĂ« bĂ«jĂ«.
Rrugët janë si rrënojat e një ëndrre osmane, ku asfalti është më i ri se sa shpresat e njerëzve. Xhamitë janë më të larta se pallatet, por jo më të zhurmshme se zërat që dalin nga kafenetë, ku dita fillon me llafe dhe mbaron me ankesa. Rrallë herë me ndonjë libër. Edhe më rrallë me ndonjë ndryshim.

TĂ« gjithĂ« flasin pĂ«r politikĂ«, por askush s’ka kohĂ« pĂ«r politikĂ«, sepse tĂ« gjithĂ« janĂ« tĂ« zĂ«nĂ« me ikjen. Ka mĂ« shumĂ« plane pĂ«r lĂ«vizje sesa pĂ«r zhvillim, mĂ« shumĂ« biletari sesa biblioteka, mĂ« shumĂ« Ă«ndrra pĂ«r Gjermani sesa pĂ«r TetovĂ«.
Tetova është një qytet ku universitetet rriten si kërpudhat pas shiut, por librat mbeten po aq të rrallë sa lexuesit. Titujt janë diplomë, jo dije. Dija është stoli, jo armë. Dhe shkolla është stacion ndalese para pasaportës.
ËshtĂ« qyteti ku shqiptarĂ«t dhe maqedonasit ndajnĂ« tĂ« njĂ«jtĂ«n frymĂ«, por jo tĂ« njĂ«jtĂ«n fjalĂ«. Ku edhe heshtja Ă«shtĂ« e pĂ«rkthyer. Ku flamujt nuk pĂ«rfaqĂ«sojnĂ« vetĂ«m identitete, por kufij emocionalĂ«. NĂ« njĂ« qytet ku gjithçka Ă«shtĂ« pĂ«rkufizuar, pĂ«rveç sĂ« ardhmes.
Nuk Ă«shtĂ« qytet pĂ«r tĂ« ardhur, Ă«shtĂ« qytet pĂ«r t’u larguar. Dhe ata qĂ« mbesin, jetojnĂ« me mallin e atyre qĂ« kanĂ« ikur, duke e ndjerĂ« mungesĂ«n e plotĂ« si tĂ« ishte njĂ« prani. NjĂ« qytet qĂ« e sheh botĂ«n nga dritarja e njĂ« Western Union-i, ku nostalgjia ka kthyer shpinĂ«n dhe ndihmon vetĂ«m me euro.

NjĂ« qytet qĂ« s’ka nevojĂ« pĂ«r ambasadorĂ«, sepse çdo familje ka njĂ« pĂ«rfaqĂ«si nĂ« EvropĂ«, Azi, AfrikĂ« e AmerikĂ«. Diaspora Ă«shtĂ« parlamenti i vĂ«rtetĂ« i TetovĂ«s, ajo qĂ« vendos, ajo qĂ« ndihmon, ajo qĂ« mungon.
Tetova Ă«shtĂ« njĂ« metaforĂ«: e njĂ« kombi qĂ« e do EvropĂ«n, por nuk e lĂ«shon Lindjen. NjĂ« qytet qĂ« ende s’e ka vendosur a Ă«shtĂ« portĂ« hyrĂ«se apo dalje e fundit. ËshtĂ« pikĂ«risht aty ku PerĂ«ndimi vonon tĂ« mbĂ«rrijĂ«, sepse Lindja ende s’ka ikur fare. Dhe nĂ« kĂ«tĂ« pritje tĂ« gjatĂ«, Tetova nuk jeton — ajo vetĂ«m pret.

Trending