Qeveria e miratoi Propozim-ribilancin e Buxhetit për vitin 2025. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 362,4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet kapitale janë planifikuar në shumën prej 47,5 miliardë denarë. Parashikimi për BPV-në mbetet 3,7%, ndërsa inflacioni është parashikuar në nivel prej 2,8%, transmeton TV21.
Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar, si në shumën absolute ashtu edhe si përqindje e BPV-së, përkatësisht 41,3 miliardë denarë ose 4% e BPV-së. Sipas ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, shkurtimet më të mëdha janë bërë në shpenzimet e Qeverisë, kryesisht përmes rishpërndarjes mes investimeve. Shtesa më e madhe është te Ministria e Mbrojtjes, por jo të gjithë ministrat kanë marrë aq sa kanë kërkuar.
“Kërkesat ishin shumë më të mëdha në krahasim me atë që është aprovuar. Por thjesht duhet ta pranojmë, siç them vazhdimisht – kemi trashëguar një gjendje shumë të keqe dhe nuk kemi shumë hapësirë për manovër – për rritje të deficitit buxhetor, krijim të borxheve të reja etj. Duhet të sillemi si menaxherë, që do të thotë se secili brenda buxhetit të vet duhet t’i përdorë mjetet sa më mirë që mundet”, tha Dimitrievska-Koçoska.










