Një rast flagrant i tejkalimit të shpejtësisë është evidentuar më 20 qershor 2025, rreth orës 10:51 në segmentin rrugor Gostivar–Tetovë, pranë nyjës Kamjan. Gjatë kontrollit rutinë të trafikut nga Njësia për Siguri Rrugore pranë SPB Tetovë, është ndaluar një automjet tip “Audi” me targa gjermane, që drejtohej nga B.M. (29 vjeç), banor i fshatit Pirok.
Sipas policisë, i riu ka vozitur me shpejtësi prej 190 kilometra në orë, në një zonë ku kufiri maksimal i lejuar është 80 km/h. Ky veprim paraqet rrezik serioz për sigurinë rrugore si për vetë drejtuesin, ashtu edhe për pjesëmarrësit tjerë në komunikacion.
Pas ndalimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprën “vozitje e pamatur”, në bazë të nenit 297-a të Kodit Penal. Autoritetet kanë bërë apel për kujdes të shtuar në komunikacion dhe respektim të rregullave ligjore për të parandaluar aksidente me pasoja tragjike.










