Pas përfundimit të konfliktit të armatosur 12-ditor me Izraelin, autoritetet iraniane kanë ndërmarrë një valë të gjerë arrestimesh dhe ekzekutimesh, të cilat po interpretohen si një përpjekje për të konsoliduar kontrollin e brendshëm dhe për të goditur kundërshtarët realë apo të supozuar.
Sipas agjencisë shtetërore Fars, deri më tani janë ekzekutuar të paktën gjashtë persona nën akuza për spiunazh, ndërsa mbi 700 të tjerë janë arrestuar, mes tyre zyrtarë të dyshuar për rrjedhje informacioni, aktivistë, dhe qytetarë me lidhje të dyshuara me inteligjencën e huaj.
Zyrtarë iranianë pretendojnë se gjatë konfliktit me Izraelin, vendi është përballur me një “infiltrim të paprecedentë” nga rrjete të inteligjencës perëndimore, të cilat kanë kontribuar në vrasjen e komandantëve të Gardës Revolucionare dhe shkencëtarëve bërthamorë.
Televizioni shtetëror ka transmetuar rrëfime publike të disa prej të arrestuarve, duke ngritur shqetësime serioze te organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë reaguar duke theksuar rrezikun e gjyqeve të përshpejtuara dhe mungesës së transparencës ligjore, të ngjashme me praktikat represive të viteve ’80.
Ndërkohë, nuk kanë munguar as masat ndaj gazetarëve të mediave në mërgim, si BBC Persian, Iran International dhe Manoto TV. Janë raportuar raste të kërcënimeve dhe arrestimeve të familjarëve të gazetarëve me qëllim ushtrimin e presionit për të ndaluar raportimet kritike ndaj regjimit.
Në një rast të dokumentuar nga Iran International, familjarët e një gazetarje u ndaluan në Teheran, ndërsa ajo u detyrua të merrte një telefonatë nën mbikëqyrjen e agjentëve të sigurisë.
Autoritetet kanë bllokuar aksesin në platformat sociale si Instagram, Telegram, X (ish-Twitter) dhe YouTube, ndërsa faqet e mediave ndërkombëtare mbeten të filtruar. Shkrimtarë, artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile janë mes të arrestuarve, shumë prej tyre pa ndonjë akuzë të qartë ligjore.
Ekspertë të rajonit paralajmërojnë për rikthim të praktikave represive, të ngjashme me ato pas luftës Iran-Irak, ku ekzekutimet masive të vitit 1988 mbeten një plagë e hapur. Aktualisht, klima politike në Iran përshkruhet si një përzierje e frikës dhe mospajtimit të heshtur, veçanërisht pas lëvizjes protestuese “Gruaja, Jeta, Liria” të vitit 2022.
Autoritetet iraniane e justifikojnë fushatën si pjesë të një “beteje kundër rrjeteve të spiunazhit perëndimor”, por kritikët argumentojnë se kemi të bëjmë me një ofensivë sistematike kundër kritikës, lirisë së fjalës dhe pluralizmit politik, në një moment kur regjimi kërkon të ruajë stabilitetin pas ekspozimit të madh ndërkombëtar.










