Të paktën dy persona janë arrestuar pas një përleshjeje të ashpër fizike që ka ndodhur në një lokal në fshatin Çegran të Gostivarit, ku janë përdorur thika, objekte të mprehta dhe sende prej qelqi.
Ngjarja ka ndodhur më 27 qershor 2025, rreth orës 11:30, kur zyrtarë të SPB Gostivar ndërhynë pas një denoncimi për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Dy personat e përfshirë në rrahje janë identifikuar si E.A. (30) nga Gostivari dhe A.A. (30) nga fshati Çegran, të cilët janë arrestuar brenda një ore nga incidenti.
Sipas raportit policor, përplasja fizike ka eskaluar me përdorimin e mjeteve të rrezikshme, ku A.A. dyshohet se ka përdorur edhe një mjet të mprehtë, ndërsa gjatë incidentit është dëmtuar edhe një veturë luksoze e tipit “Mercedes” me targa të Tetovës.
Policia ka bërë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave të përfshirë do të ngritet kallëzim përkatës penal.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, ndërsa autoritetet kanë shtuar patrullimet për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla të dhunshme.










