Një përplasje me tone të forta ka shpërthyer mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe miliarderit Elon Musk, themelues i kompanive Tesla dhe SpaceX. Shkak është bërë projektligji i ri fiskal i quajtur nga Trump “Big Beautiful Bill”, i cili parashikon ndryshime të mëdha në sistemin e taksave dhe shpenzimeve federale.
Elon Musk ka reaguar publikisht dhe ashpër, duke e cilësuar projektligjin si një katastrofë fiskale që, sipas tij, do të rrisë borxhin kombëtar dhe do të favorizojë “industri të vjetruara në kurriz të inovacionit”.
“Çdo anëtar i Kongresit që mbështet këtë ligj do të humbasë garën paraprake për zgjedhjet e ardhshme, dhe unë do të bëj gjithçka për ta siguruar këtë,” deklaroi Musk në rrjetin social X.
Por nuk mbaron këtu. Musk paralajmëroi se do të mbështesë financiarisht kundërshtarët e atyre kongresmenëve që e votojnë ligjin dhe la të kuptohet se mund të krijojë një parti të re politike, të ashtuquajturën “America Party”, si alternativë ndaj sistemit dypartiak në SHBA.
Presidenti Trump reagoi menjëherë, duke e akuzuar Muskun se është miliarderi që ka përfituar më shumë subvencione federale në histori.
“Pa paratë e qeverisë amerikane, Musk do të kishte mbyllur kompanitë e tij shumë vite më parë. Ndoshta do të ishte kthyer në Afrikën e Jugut,” tha Trump me ironi në një konferencë për shtyp.
Përplasja ka shkaktuar tërmet edhe në tregjet financiare, ku aksionet e Tesla-s panë një rënie prej mbi 5% pas këtyre deklaratave të tensionuara.
Ndërkohë, Senati amerikan është në proces shqyrtimi të projektligjit, me votimin final që pritet të ndodhë brenda kësaj jave.
Ky duel politik mes një presidenti në pushtet dhe një prej njerëzve më të pasur në botë, me ndikim të jashtëzakonshëm në teknologji dhe komunikim, po shihet si përplasje që mund të rishkruajë balancat e brendshme në politikën amerikane.










