Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, ka informuar se në mbledhjen e 88-të të Qeverisë janë miratuar 829 projekte në kuadër të fazës së dytë të nënprogramit për grantet kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale – AA, me vlerë të përgjithshme rreth 15 miliardë denarë.
“Ky nënprogram paraqet një instrument të rëndësishëm për mbështetjen e komunave dhe forcimin e tyre institucional dhe infrastrukturor, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, theksoi Azizi.
Projektet e miratuara do të realizohen përmes këtyre ministrive:
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve – mbi 8 miliardë denarë
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – rreth 2.5 miliardë denarë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës – rreth 1.6 miliardë denarë
Ministria e Kulturës – 622 milionë denarë
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë – 520 milionë denarë
Ministria e Sportit – 544 milionë denarë
“Me këtë, ne vazhdojmë ta mbështesim në mënyrë të vazhdueshme çdo komunë që i ka përmbushur kushtet sipas thirrjes publike, pa marrë parasysh përkatësinë politike të udhëheqjes komunale. Për ne, më të rëndësishëm janë qytetarët, mirëqenia e tyre dhe krijimi i kushteve më të mira për jetë në çdo pjesë të shtetit”, deklaroi ajo.
Projektet e planifikuara përfshijnë:
ndërtim dhe rindërtim të rrugëve dhe rrugicave
sisteme të ujësjellësit dhe kanalizimeve
shkolla, çerdhe dhe salla sportive
pishina dhe infrastrukturë publike me rëndësi jetike
Azizi theksoi se interesimi ka qenë jashtëzakonisht i lartë, si në thirrjen e parë, ashtu edhe në të dytën.
“Ky është edhe një hap historik në forcimin e vetëqeverisjes lokale – një proces që është dhe do të mbetet një nga shtyllat themelore të politikës zhvillimore të kësaj Qeverie. Po i ndërtojmë themelet e ndryshimeve, për kohën tënde që po vjen”, u shpreh zëdhënësja e Qeverisë.
Në thirrjen e parë publike, Qeveria kishte ndarë 4.1 miliardë denarë për 274 projekte, një pjesë e të cilave tashmë janë të realizuara, ndërsa të tjerat janë në proces realizimi.










