Trendy

VLEN nis anketimet për kandidatët në zgjedhjet lokale — hapet gara për emrat më të mirë, jo domosdoshmërisht nga brenda koalicionit

Para 10 muaj

Koalicioni VLEN ka hyrë në fazën përgatitore për zgjedhjet lokale të muajit tetor, duke realizuar anketime dhe analiza të brendshme për të identifikuar kandidaturat më të përshtatshme për komunat. Kandidatët do të garojnë nën logon e përbashkët të VLEN-it, por sipas drejtuesve të këtij koalicioni, nuk përjashtohet përfshirja e figurave që nuk janë formalisht pjesë e tij.

Duke folur për procesin e përzgjedhjes, Izet Mexhiti tha se VLEN synon të përfshijë edhe personalitete jashtë strukturës së vet partiake:

“Ne nuk konsiderojmë se krejt potenciali politik është brenda VLEN-it, ne vlerësojmë se ka intelektualë, ka biznesmenë, ka akademikë që nuk kanë veshë fanellën e VLEN-it, por ne nëse vlerësojmë që ai është më i miri për një qytet, për një komunë ne i themi urdhëro na prijë, do e kesh mbështetjen e fuqishme të VLEN-it.”

Në lidhje me spekulimet për kandidaturën e tij në Komunën e Çairit, Mexhiti nuk përjashtoi asnjë opsion:

“Nëse VLEN-i do të vlerëson që Izet Mexhiti do të duhet të del kandidat në Çair është edhe ky opsion, po nuk ka asgjë konkrete.”

Përfaqësuesi tjetër i koalicionit, Arben Fetai, theksoi se përzgjedhja e kandidatëve po bëhet mbi baza objektive dhe me fokus tek interesi i qytetarit:

“Me përkrahjen që ia japim kandidaturës së zoti Mendy Qyra në Strugë dëshmojmë se interesi ynë është interesi i qytetarët, ne nuk e shohim vetëm interesin individual partiak si LD, Besë, Alternativë, Aleancë dhe Vetëvendosje, e shohim 1 çka është interesi i qytetarit, çfarë pret qytetari në bazë të sondazheve jemi duke bërë matje dhe jemi duke i identifikuar siç e tha edhe Izeti kandidatët më të mirë që na sigurojnë fitore dhe që i përgjigjen pritshmërive të qytetarëve dhe kjo është qasje krejt ndryshe e Frontit dikur evropian, tani kombëtar të cilët janë shndërruar në tregtarë me parti.”

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit. Në bllokun politik shqiptar, gara do të zhvillohet mes kandidatëve të VLEN-it dhe atyre të Frontit Evropian, të përbërë nga BDI, dy fraksionet e Aleancës për Shqiptarët (të Ziadin Selës dhe Arben Taravarit), si dhe parti të tjera më të vogla shqiptare dhe të komuniteteve të tjera.

Trending