Trendy

Mendi Qyra lë OEMVP! Nis garën për Strugën si kandidat i pavarur!

Para 9 muaj

Një zhvillim i rëndësishëm ka ardhur nga radhët e komunitetit të biznesit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Mendi Qyra, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti drejtues për të nisur një angazhim të ri në politikë, si kandidat i pavarur për Komunën e Strugës.
“Me shpalljen e intencës time për të qenë kandidat i pavarur për kryetar komune në Strugë, lindën dhe mu adresuan shumë pyetje nga kureshtja dhe interesimi i të gjithë atyre që ndjekin punën time, e sidomos angazhimin tim në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore,” – deklaron Qyra në njoftimin e tij publik.
Duke iu referuar Statutit të OEMVP-së, ai thekson se angazhimi politik përmes kandidimit nuk mund të bashkëjetojë me pozita udhëheqëse brenda Odës:
“Sipas nenit 20 të Statutit të OEMVP-së, çdo person i strukturave të Odës që përfshihet në politikë me kandidaturë, nuk mund të mbajë njëkohësisht pozita udhëheqëse brenda Odës, edhe pse kandidimi im vjen nga mbështetja e sektorit privat si kandidat i pavarur.”
Qyra thekson se dorëheqja do të formalizohet shumë shpejt:
“Ju njoftoj se ditëve në vijim do deponoj dorëheqjen time si Kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore tek anëtarët e Këshillit Drejtues, në koordinim me këshillin drejtues dhe me konsultë në Statutin e OEMVP-së, si akt juridik më i lartë në këtë institucion.”
Pavarësisht se zgjedhjet lokale ende nuk janë shpallur zyrtarisht, Qyra e konsideron këtë hap si një përgjegjësi morale:
“E ndjej si obligim moral dhe profesional që ky hap të ndërmerret pavarësisht faktit që procesi i zgjedhjeve lokale ende nuk është zyrtarizuar.”
Ai e mbyll deklaratën me një mesazh të qartë për integritetin institucional dhe përkushtimin ndaj komunitetit të biznesit:
“Transparenca, besueshmëria dhe neutraliteti i Odës, si institucion apolitik nuk duhet të vihet asnjëherë në pikëpyetje, pavarësisht ambicieve apo zhvillimeve individuale. Ky vendim nuk nënkupton shkëputje nga vlerat apo nga komuniteti i biznesit që më ka dhënë besimin, por është një dëshmi e sinqeritetit tim në raport me misionin e përbashkët që kemi ndërtuar.”
“Unë do të mbetem gjithmonë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe mbështetës i fortë i OEMVP-së dhe i komunitetit të biznesit.”
Kjo lëvizje e Mendi Qyrës pritet të ndikojë ndjeshëm në klimën politike lokale në Strugë, ndërsa në nivel institucional përfaqëson një model të rrallë ndershmërie dhe përputhjeje me parimet statutore.

Trending