Një ngjarje tronditëse është regjistruar mbrëmjen e kaluar pranë urës mbi lumin Lepenc, në afërsi të Stacionit Hekurudhor “Gjorçe Petrov” në Shkup, ku një zjarr i fuqishëm ka përfshirë zonën me bar të thatë dhe disa objekte ndihmëse.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe shuarjes së flakëve, ekipet kanë bërë një zbulim të tmerrshëm: trupi i djegur i një personi ende të paidentifikuar, si dhe kafshë të ngordhura, të cilat ishin brenda stallave të përfshira nga zjarri.
Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar rastin në raportin e saj të përditshëm, duke sqaruar se zjarri është raportuar dje rreth orës 18:00 në Stacionin Policor të Shkupit. Flakët u përhapën me shpejtësi në terrenin e thatë, duke kapluar struktura pranë urës dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe jetësore.
Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet janë të angazhuara për identifikimin e viktimës dhe zbulimin e shkaqeve që çuan në këtë zjarr tragjik.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë në hapësirat rurale gjatë sezonit të nxehtë.










