Trendy

Do të ketë negociata me Bullgarinë? Mickoski e thotë pa diplomaci

Para 9 muaj

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi sot se qeveria e tij nuk do të hyjë në asnjë proces të ndryshimeve kushtetuese pa një strategji të qartë dhe një marrëveshje të definuar. Në një konferencë për shtyp, ai komentoi edhe lajmin e publikuar nga mediat bullgare, sipas të cilit 216.594 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaportë bullgare që nga 1 janari 2007 deri më 17 qershor 2025.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me ndikimin e kësaj të dhëne në pozicionin e Sofjes zyrtare, Mickoski u shpreh:

“Qëllimi i Sofjes zyrtare është që me futjen e disa qindra qytetarëve maqedonas që janë pjesë e komunitetit bullgar, në Kushtetutë, të referohet në atë numër dhe të thuhet se të dhënat e regjistrimit të popullsisë nuk janë të sakta dhe se prania e pakicës bullgare në Maqedoni është më shumë se 10 për qind. Dhe do të kërkojë përfaqësim të përshtatshëm”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Ai theksoi se kjo situatë ka qenë e paralajmëruar nga opozita në të kaluarën, por se qeveria paraprake nuk e ka marrë seriozisht rrezikun që vjen nga një interpretim i tillë.

“Fatkeqësisht, atë nuk deshën ta shohin ata të qeverisë paraprake dhe na sollën në këtë situatë, megjithëse edhe atëherë i paralajmëruam se ky ishte qëllimi përfundimtar. Ndërsa Bujar Osmani, Dimitar Kovaçevski, Bojan Mariçiqi, shitën dhe me lehtëbesim thoshin se e kishin zgjidhur problemin, në thelb ata nuk arritën ta shihnin strategjinë e vërtetë. Por, për fat të mirë për qytetarët maqedonas, ne tani jemi Qeveria dhe nuk do të hyjmë në asnjë proces kaq me lehtëbesim, pa një strategji të qartë dhe një marrëveshje të qartë”, theksoi Mickoski.

Kujtojmë se Ministri bullgar i Punëve të Brendshme, Daniel Mitov, bëri të ditur në fund të këtij muaji se mbi 216 mijë persona me shtetësi maqedonase kanë marrë pasaporta bullgare, shifër që tani rrezikon të shndërrohet në argument politik për rritjen e kërkesave bullgare ndaj Shkupit.

Trending