Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar me ashpërsi pas sulmit fizik ndaj ekipit gazetaresk të televizionit Alsat-M, i cili po raportonte nga deponia ilegale në Vizbeg, ku ishte përhapur një zjarr i madh.
“Sipas informacioneve nga kolegët, gazetari Avni Tahiri dhe kameramani Shenoll Hajredini janë sulmuar fizikisht nga një person, pronar i mbeturinave për të cilat dyshohet se kanë shkaktuar zjarrin. Sulmuesi ia ka marrë me forcë telefonin gazetarit Tahiri dhe e ka hedhur në zjarr, ndërsa kameramani Shenoll Hajredini gjithashtu është sulmuar dhe kamera e tij është dëmtuar. Personi në fjalë është arrestuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe rasti është paraqitur në MPB. SHGM është në komunikim me pikat kontaktuese në MPB dhe Prokurorinë Themelore Publike për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Kujtojmë se me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, çdo sulm ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale konsiderohet vepër penale serioze për të cilën parashikohen dënime ligjore. Presim nga institucionet një hetim të shpejtë dhe efikas, me masa dhe sanksione adekuate për sulmuesin,” thuhet në reagimin zyrtar të SHGM-së.
Shoqata u bën thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë me prioritet në rastet kur cenohet siguria e gazetarëve, duke theksuar se mbrojtja e punonjësve të medias është element thelbësor i një demokracie funksionale.










