Trendy

Tetova planifikon investime mbi 18 milionë euro: Fokus në shkolla të reja, bulevarde dhe objektin e komunës

Para 9 muaj

Këshilli Komunal i Tetovës ka miratuar sot planin zhvillimor katërvjeçar të komunës, i cili përfshin një sërë projektesh infrastrukturore dhe arsimore me vlerë që tejkalon 18 milionë euro. Plani parasheh ndërtimin e dy shkollave të mesme, ndërtimin e objektit të ri të komunës, si dhe përfundimin e disa prej segmenteve të bulevardeve në qytet.

Po ashtu, pjesë e këtij plani është edhe kofinancimi i projekteve përmes të ashtuquajturës kredi holandeze, e cila për komunat do të funksionojë si grant. Komuna e Tetovës ka paraparë që, në rast se ofertat e operatorëve ekonomikë tejkalojnë buxhetin e siguruar nga Qeveria, diferenca të mbulohet nga vetë komuna.

“Pra fjala është për një vlerë investimesh kapitale në infrastrukturën e komunës në një vlerë që tejkalon mbi 18 milion euro, me çka 11 janë financim nga Qeveria ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga komuna e Tetovës,” deklaroi Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.

Ai theksoi se prioriteti kryesor do të jenë investimet në arsim:
“Në kuadër të këtyre projekteve, është ndërtimi i dy shkollave për ‘7 Marsin’ dhe shkollës Tekstile. Ndërtimi i objektit të komunës së Tetovës këtu ku ishin barakat e inspektoratit, dhe vazhdimi i bulevardit Bato nga Kazerma deri në Poroj. Është edhe rruga qarkore në Kodër të Diellit dhe dy kanalizime që janë fokusi kryesor i komunës së Tetovës,” tha Kasami.

Në seancën e sotme u miratua edhe projekti për përfundimin e bulevardit pranë kazermës së qytetit, një segment që ka mbetur i papërfunduar për më shumë se një dekadë për shkak të mospajtimeve me disa banorë lidhur me rrënimin e objekteve të tyre.

Trending