Sot, Sektori për Punë të Brendshme në Strumicë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Strumicë kundër Z.Ç. (57) nga fshati Novo Sello, komuna Novo Sello, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “dhunë ndaj fëmijës”.
Sipas informacioneve zyrtare, më 08 korrik 2025, në oborrin e shtëpisë së të raportuarit, ai është sjellë në mënyrë të dhunshme ndaj vajzës së tij 11-vjeçare, e cila jetonte me të pas ndarjes nga bashkëshortja dhe për të cilën ai ishte kujdestari ligjor. Rasti ka marrë përmasa shqetësuese pasi vetë autori e ka filmuar aktin e dhunës me celularin e tij.
Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, policia ka ndërhyrë menjëherë duke identifikuar dhe shoqëruar autorin në SPB Strumicë, ku gjatë bisedës zyrtare ai e ka pranuar veprën.
Prokurori publik është informuar për rastin, ndërsa mjeku i Qendrës Mjekësore në Strumicë ka kryer një ekzaminim mjekësor të fëmijës, ku janë konstatuar lëndime trupore në formë skuqjeje në të dy duart, në zonën e kyçeve.
Gjithashtu, është njoftuar Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale – Strumicë, e cila ka marrë masa për mbrojtjen e mëtejshme të fëmijës.
Autoritetet kanë paralajmëruar se do të veprojnë me zero tolerancë ndaj rasteve të dhunës ndaj fëmijëve dhe kanë kërkuar nga qytetarët të raportojnë çdo akt të tillë.










