Trendy

Në vend të pendesës, serbët në Srebrenicë festojnë gjenocidin me këngë urrejtjeje

Para 8 muaj

Më 11 korrik 2025, ndërsa e gjithë bota e civilizuar përkulej në nderim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, ku u varrosën edhe shtatë viktima të reja të masakrës së vitit 1995, një akt skandaloz dhe i turpshëm ndodhi përpara kishës në qendër të qytetit: serbët lokalë lëshuan me zë të lartë këngë fyese dhe shoviniste kundër boshnjakëve – një ritual i përsëritur urrejtjeje që synon të tallë vuajtjen dhe të madhërojë krimin.

Pas largimit të delegacioneve ndërkombëtare dhe familjeve të viktimave, në orët e mbrëmjes, filloi ajo që shumëkush e përshkruan si “festa makabre” e gjenocidit. Përmes altoparlantëve, u dëgjua muzika e njohur e Baje Malog Knindzhe, ku glorifikohen krimet dhe bëhen thirrje për dëbim të boshnjakëve, duke përfshirë vargje si: “Ky popull do të jetojë, edhe pas ustashëve, sepse edhe Zoti është serb, qiejt janë tanët.”

Zëvendëskryetari i Republikës Serbe, Çamil Durakoviq, ndau pamje të kësaj skene të neveritshme dhe shkroi:
“Na tregojnë se në çfarë balte civilizimi po rrokullisen. Eh, zotërinj, me këtë jetojnë boshnjakët e Srebrenicës më 11 korrik, pasi delegacionet të jenë shpërndarë nën sirenat e veturave zyrtare.”

Ky akt i neveritshëm është vetëm një në një seri provokimesh që ndodhin çdo vit në këtë datë përkujtimore – një përpjekje e ulët për të mbjellë frikë, për të turpëruar viktimat dhe për të mohuar gjenocidin. Në vend të pendesës dhe reflektimit, në Srebrenicë dëgjohet gjuha e urrejtjes, e mbështetur nga heshtja e turpshme e institucioneve serbe.

Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm në Srebrenicë për të nderuar viktimat dhe për të dëshmuar solidaritetin ndaj popullit boshnjak. Ai u shpreh se drejtësia për Srebrenicën nuk është vetëm një çështje e Bosnjës, por një borxh i të gjithë njerëzimit.

Trending