Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në fshatin Gjinoc të Suharekës, ku një foshnje 9-muajshe ka ndërruar jetë si pasojë e ngulfatjes nga lidhësja e djepit ndërsa flinte. Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 29 qershor 2025, kur foshnja H.M. u dërgua në gjendje të rëndë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe më pas u transferua për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi për portalin rtv21.tv se foshnja ishte ngulfatur aksidentalisht nga lidhësja e djepit. Pas dy javësh luftë për jetë, më 11 korrik, fatkeqësisht fëmija ndërroi jetë.
Prokurori Publik është njoftuar menjëherë për rastin dhe ka urdhëruar autopsinë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërkohë, hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e sakta të tragjedisë.





