Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiki Shahini, ka prezantuar sot një projekt të rëndësishëm për sportin dhe rininë në Komunën e Çairit, ndërtimin e një fushe ndihmëse moderne pranë stadiumit të FC Shkupit.
Në prezantimin e projektit morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Masar Omeragiç, dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Sipas Sadiki Shahinit, fusha ndihmëse do të ndërtohet sipas standardeve të FIFA-s, me bari artificial cilësor, sistem kullimi modern dhe ndriçim të plotë, që do të mundësojë përdorimin e saj në çdo kohë dhe në kushte optimale.
“Ky është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve për sportin dhe të rinjtë tanë”, theksoi zëvendësministrja, duke shtuar se investimi synon të krijojë më shumë hapësira cilësore për sportistët e rinj dhe të përkrahë zhvillimin e sportit lokal.










