Kryetari i Alternativës dhe njëri nga anëtarët e kryesisë së VLEN, Dr. Zeqirija Ibrahimi, ka hedhur dorashkën ndaj opozitës shqiptare në një intervistë për MIA, duke e sfiduar hapur që të zgjedhë vetë vitin për krahasim të punësimeve të shqiptarëve në shtet.
“Ne e kemi sfiduar opozitën shqiptare që ta zgjedhin cilin vit ata e duan nga qeverisja e tyre prej vitit 2002 deri në vitin 2024, me cilin vit të tyre dëshirojnë të krahasohen për punësimet e shqiptarëve në institucionet e shtetit.”
Ibrahimi ka theksuar se është i bindur se deri në zgjedhjet lokale do të përmbyllet punësimi i mbi 2500 shqiptarëve në institucionet publike.
“Unë jam i sigurt se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën që 2500 shqiptarë të punësohen dhe të avancohen brenda një viti. Ky proces është në zhvillim e sipër. Janë gjëra teknike të lidhjes së kontratave, diku të përmbylljes së konkurseve, por kemi dakordim të paluhatshëm që deri me shpalljen e zgjedhjeve lokale, i bie deri me 8 gusht kur mund të shpallen zgjedhjet, të përmbyllet ky proces.”
Kryetari i Alternativës siguron se do të publikohen të gjitha të dhënat për punësimet:
“Ne jemi të gatshëm që të raportojmë edhe me shifra të sakta se në cilat institucione kanë ndodhur ato punësime dhe ato avancime. Kjo nuk është diçka që ne mund ta fshehim e ta mbajmë jashtë syve të opinionit, por janë gjëra që do të kalkulohen me numra dhe opinioni do të ketë mundësi që ta shoh saktë se ky nuk ka qenë një premtim bosh, por një vendim përmbajtësor.”
Deklarata e Ibrahimit vjen si mesazh i drejtpërdrejtë në prag të përmbylljes së marrëveshjeve për punësimet në administratën shtetërore, duke rritur tensionet politike me opozitën shqiptare.










