Komuna e Tetovës ka hyrë në një fazë të re zhvillimi me miratimin e një pakoje investimesh që kap vlerën e 12 milionë eurove, përmes së cilës do të realizohen 35 projekte kapitale që prekin infrastrukturën, arsimin, sportin dhe jetën publike.
Kryetari i Komunës, Bilall Kasami, përmes një njoftimi publik, ka bërë të ditur listën e projekteve që pritet të nisin zbatimin në periudhën e ardhshme, duke theksuar se VLEN për Tetovën nuk është vetëm slogan, por angazhim konkret për zhvillim.
✅ Në arsim, parashikohet ndërtimi i objektit të ri për gjimnazin “7 Marsi”, si dhe faza e dytë e ndërtimit të shkollës së mesme teknike “Gjoce Stojçevski”.
✅ Në fushën e sportit, do të ndërtohen dy pishina të mbyllura, njëra në SHFK “Kirili dhe Metodi” dhe tjetra në SHFK “Naim Frashëri”.
✅ Në infrastrukturën rrugore, parashikohet rikonstruimi, rehabilitimi dhe ndërtimi i dhjetëra rrugëve lokale, kryesisht në Tetovë, Reçicë të Madhe, Shipkovicë, Llacë, Bllagoja Toska dhe në zonat periferike, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.
✅ Po ashtu, përfshihet ndërtimi i rrjetit të kanalizimit atmosferik në lagjen Dardania dhe drejt fshatit Falisht, si dhe ndërtimi i qarkores Lisec–Kodra e Diellit, një projekt kyç për lidhjen me zonat turistike.
“Ne nuk kemi ardhur për premtime të bukura, por për t’i kthyer ato në vepra konkrete. 35 projekte, 12 milionë euro dhe një qëllim i vetëm – Tetova të ecë përpara”, ka theksuar Kasami.
Me këtë plan, Komuna e Tetovës synon të vendosë një standard të ri në menaxhimin urban, në përmbushjen e premtimeve elektorale dhe në krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.
VLEN për Tetovën — Fjala e dhënë, punë e kryer!










