Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini ka shënuar një përparim të rëndësishëm në zbatimin e projektit SIAP, një ndër masat kyçe për modernizimin e sistemit social në vend.
Sekretari Shtetëror, Fatmir Sabriu, gjatë një takimi me përfaqësuesit e Bankës Botërore, njoftoi se brenda vetëm një viti projekti është avancuar me një ritëm të shpejtë, duke kaluar nga 9.92% realizim në 17.38%.
Ky projekt, i cili për pesë vite kishte pasur përparim të ngadaltë, ka marrë një impuls të ri, duke nxitur reformat në disa fusha kyçe të politikave sociale.
Në fokus të reformave janë: Ndërtimi i Sistemit të Unifikuar për Sigurimin Social, Modernizimi i Fondit për Sigurim Pensional, Krijimi i një qasjeje të re ndaj personave me aftësi të kufizuara, Reforma e mbështetjes për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, Rishikimi i listës së profesioneve të rrezikshme, Përfshirja aktive e qytetarëve në procesin e reformës.
Fatmir Sabriu theksoi se këto masa janë pjesë e një strategjie të gjerë për të krijuar një sistem social më të drejtë dhe më efikas për qytetarët shqiptarë.
“Një vit reformash intensive. Një drejtim i ri. Një vizion më i drejtë për qytetarët tanë,” tha Sabriu, duke theksuar përkushtimin e ministrisë për të vazhduar me hapa të qëndrueshëm drejt përmirësimit të politikave sociale.










