Shoqëria jonë po plaket, ndërsa të rinjtë po largohen. Maqedonia e Veriut gjendet përballë një goditjeje të dyfishtë demografike, së pari nga shkalla e ulët e lindjeve, dhe së dyti nga emigrimi i të rinjve, gjë që po e çon vendin drejt një plakjeje të theksuar demografike. Kur të rinjtë ikin jashtë shtetit dhe largohen nga familjet e tyre, është e qartë se kemi të bëjmë me një problem serioz – një realitet që po e përjeton i gjithë Ballkani. Ky është një problem rajonal, e jo vetëm vendor. Vendet e Ballkanit prej kohësh janë cilësuar si “vrima e zezë demografike e Evropës”. Megjithatë, çështja e demografisë është një sfidë edhe për shumë vende më të zhvilluara, të cilat hasin vështirësi në menaxhimin e strukturës së popullsisë.
Vitin e kaluar, në Maqedoninë e Veriut lindën 16.061 foshnje – mbi 7.000 më pak se në vitin 2015, kur u regjistruan 23.075 lindje. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) tregojnë një rënie të vazhdueshme të lindjeve gjatë dekadës së fundit, me kulmimin e kësaj rënieje vitin e kaluar, kur u shënua numri më i ulët historik i lindjeve.
“Numri i lindjeve të gjalla në vitin 2024 u ul me katër për qind krahasuar me vitin e kaluar”, bëhet e ditur nga statistikat zyrtare.
Sipas parashikimeve demografike, popullsia në Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë të bjerë, duke u parashikuar të zbresë nën 1.3 milion banorë deri në vitin 2055 – një fakt që pritet të rrisë më tej sfidat ekonomike dhe sociale të vendit.
Demografët theksojnë se demografia është një çështje shumë më e gjerë se sa thjesht lindshmëria dhe ndalimi i emigrimit të të rinjve; ajo kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse që krijojnë kushte të qëndrueshme për familjet ekzistuese dhe të ardhshme. Shumë vende tashmë kanë themeluar departamente të posaçme qeveritare për demografinë, por përvoja ka treguar se një institucion i vetëm nuk mund të përballojë të gjitha sfidat. Kjo është një detyrë që kërkon përfshirjen e të gjitha sektorëve shtetërorë: punësimi, strehimi, arsimi, shëndetësia, siguria, zhvillimi i barabartë rajonal, qasja në kopshte etj.
Me ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, të miratuara në vitin 2009 nga qeveria e atëhershme e Nikola Gruevskit, nëna përfitonte ndihmë financiare prej 8.048 denarësh për fëmijën e tretë për një periudhë 10-vjeçare. Për fëmijën e katërt, ndihma arrinte në 11.267 denarë për një periudhë 15-vjeçare, nëse nëna përfitonte tashmë për fëmijën e tretë.
Sot, ndër masat për rritjen e natalitetit, Qeveria parasheh deri në gjashtë procedura falas të fekondimit in vitro, si dhe subvencione për lindjen e fëmijës së parë dhe të dytë. Po ashtu, parashikohet përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat personale për nënat: një vit për fëmijën e parë, dy vite për të dytin dhe çdo vit për fëmijën e tretë e më shumë, deri në moshën madhore të fëmijës së parë.
Demografi nga Shkupi, Kristijan Fidanovski, i cili ka doktoraturë në politikat e popullsisë në Poloni, thotë se i gjithë rajoni po përjeton një trend negativ të rritjes natyrore, i cili në Maqedoni filloi gjatë pandemisë së koronavirusit. Ai thekson se vendi regjistronte një rritje të lehtë natyrore deri në vitin 2019. Problemi, sipas tij, nuk qëndron vetëm te lindjet e ulëta, por edhe te emigrimi i vazhdueshëm që e zvogëlon më tej popullsinë dhe përshpejton plakjen e saj.
“Problemi demografik është serioz, por jo i pazgjidhshëm”, shprehet ai.
Fidanovski thekson se nevojitet një politikë pro-nataliste si faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. “Një kombinim i politikave sociale, ekonomike dhe shëndetësore është thelbësor për të ndihmuar prindërit të realizojnë dëshirën për të pasur më shumë fëmijë. Nuk ka zgjidhje të shpejta, por me masa të menduara mirë mund të ngadalësojmë rënien dhe të zbusim pasojat”, theksoi ai.
Ai shton se ndërhyrjet duhet të bëhen përmes përfitimeve direkte për fëmijët dhe jo përmes sistemit tatimor.
“Si shtet, duhet të përqendrohemi njëkohësisht në aspektin social dhe atë pro-natalist, duke i bashkërenduar këto dy qëllime,” u shpreh Fidanovski.
Ekspertë të tjerë theksojnë se përmirësimi i cilësisë së jetës është thelbësor për të përmirësuar gjendjen me natalitetin në vend. Ata theksojnë se ekzistojnë shumë mekanizma për të mbajtur të rinjtë në vend, si dhe për të rritur normën e lindjeve dhe të martesave.
Sipas ekonomistit, Branimir Jovanoviq, shteti duhet të fokusohet në problemet reale të qytetarëve: pagat e ulëta, çmimet e larta, cilësinë e arsimit, ndotjen e ajrit dhe nevojën për shërbime të mira shëndetësore.
“Ajo që ndikon më shumë që njerëzit të kenë fëmijë dhe të qëndrojnë në vend është cilësia e jetës. Nëse ajo është e ulët – nëse askush nuk dëshiron të jetojë në këtë vend, nëse pagat janë të ulëta, gjithçka është e shtrenjtë, nuk mund të blesh një banesë, nuk mund të shkosh te mjeku, ke nevojë për para që të çosh fëmijën në kopsht – si mund të presësh që njerëzit të krijojnë familje në një situatë të tillë? Përpjekjet dhe masat duhet të përqendrohen pikërisht aty”, thekson Jovanoviq.
Ndryshimet demografike karakteristike për fazën e tranzicionit përfshijnë rënie të shkallës së lindjeve dhe rritje të pjesës së popullsisë së moshuar, si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë. Kjo lidhet edhe me përmirësimin e standardit të jetesës. Statistikat tregojnë se jetëgjatësia e pritur për një fëmijë të lindur në Maqedoni në vitin 2019 ishte 77 vjeç, ndërsa në vitin 1989 ishte 71 vjeç. Me dallime të vogla, këto trende janë të ngjashme në të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Por në kushte të rënies së lindjeve, ekonomia vihet nën presion – kjo kërcënon drejtpërdrejt qëndrueshmërinë e fondit pensional, sistemit shëndetësor dhe tregut të punës.
Edhe të dhënat për numrin e nxënësve në sistemin arsimor tregojnë një rënie të konsiderueshme. Sipas ESHS-së, në fillim të vitit shkollor 2024/2025, numri i nxënësve në shkollat fillore ishte 180.627 – një rënie prej 0.8% krahasuar me vitin shkollor paraprak. Nga ana tjetër, në vitin shkollor 2009/2010 numri i nxënësve ishte 210.381, që përfaqësonte një rënie prej 2.7% krahasuar me vitin pararendës. (koha.mk)










