Trendy

Asnjë centimetër i shitur! – Komuna e Tetovës demanton zërat për ‘shitjen e parkingut’

Para 7 muaj

Komuna e Tetovës ka reaguar ashpër ndaj spekulimeve që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjete sociale dhe disa portale, ku pretendohet se është shitur një pronë publike (parking) për vetëm 190.000 euro. Në një deklaratë zyrtare, Komuna e cilëson këtë informacion si tërësisht të pavërtetë dhe të qëllimshëm, transmeton tetova1.

“Kjo është një gënjeshtër që ka marrë formën e një lajmi. Dhe kur gënjeshtrat vishen si lajme, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë të vërtetën. Ne po e japim,” thuhet në reagimin zyrtar.

Komuna sqaron se operatori privat që përmendet në këtë rast, ka qenë pronar i pjesës më të madhe të tokës që nga viti 2019, përmes një fletëpronësie të rregullt, të depozituar në institucionet shtetërore – shumë kohë përpara se të nisë zhurma publike.

“Jo përmes ndonjë marrëveshjeje të fshehtë, por me fletëpronësi të rregullt… që i paraprin çdo spekulimi apo zhurme digjitale.”

Sipas Komunës, gjithçka që ka ndodhur më pas është procedurë ligjore dhe standarde për të unifikuar parcelat dhe për të zbatuar planifikimin urban.

“Për pjesën që i është shtuar operatorit nga ana e Komunës, është caktuar një pagesë prej mbi 800.000 euro, jo një favor, por një obligim financiar i bazuar në aktvendim zyrtar. Dhe ky aktvendim nuk është bërë në zyrë të errët, por në tryezë institucionale.”

Më tej, theksohet se investitori është i detyruar të sigurojë 126 vende parkimi publike, që do t’i shërbejnë qytetit dhe jo interesit privat.

“Dhe nëse ka ndonjë ‘dhuratë’, ajo i është bërë qytetit, jo privatit. Jo për shitje, por për shërbim.”

Komuna e Tetovës gjithashtu thekson se operatori ka kontribuar financiarisht edhe për interesa të gjera qytetare:

200.000 euro për hartimin e Planit Gjeneral Urbanistik

100.000 euro për rikonstruksionin e rrugës Sellcë – Vicë

“Të dy këto donacione janë miratuar nga Këshilli Komunal, me transparencë dhe pa dilema. Dhe janë të regjistruara, jo të imagjinuara.”

Komuna mohon kategorikisht çdo shitje prone publike dhe rikujton rastet kur prona komunale është rikthyer në përdorim publik nga kjo udhëheqësi:

Parkingut te Gjykata – tashmë pronë komunale

Hapësira pranë varrezave – kthyer në parking

Zona te ish-tregu i bullgarëve – gjithashtu kthyer në vendparkime

“Ne po i kthejmë pronat publike, nuk po i shesim si i shitën udhëheqësitë e kaluara!”

Deklarata zyrtare përfundon me një mesazh të qartë ndaj kritikëve:

“Të gjithë ata që për vite me radhë zhvatën pronën publike, sot flasin për ndërtim të paligjshëm. Ata që nuk dhuruan as një dokument për interes publik, sot akuzojnë për ‘donacione të dyshimta’. Por qytetarët nuk mashtrohen më me zhurmë, sepse zhvillimi nuk bëhet me statuse Facebook-u, por me vendime që mbajnë vulë e përgjegjësi.”

“E vërteta nuk ka nevojë për zë të lartë, por për dokumente.”

Trending