Trendy

Izet Mexhiti dënon thirrjet raciste në Kumanovë: “Sulm ndaj bashkëjetesës, nuk guxojnë të përsëriten”

Para 8 muaj

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar me tone të ashpra pas thirrjeve raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë.

Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit, në Kumanovë,” deklaroi Mexhiti përmes një reagimi publik.

Ai theksoi se urrejtja nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe të barabartë:

Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë. Ato përbëjnë një sulm ndaj bashkëjetesës, dhe barazisë që e bëjnë Maqedoninë e Veriut unike.

Sipas Mexhitit, Maqedonia e Veriut është një shtet për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie:

Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët për të gjithë: maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllahë, boshnjakë e të tjerë. Të gjithë kontribuojmë për këtë vend. Të gjithë meritojmë respekt.

Ai përfundoi reagimin me një thirrje për ta mbrojtur sportin si urë lidhëse mes komuniteteve:

Sporti duhet të na bashkojë, jo të na ndajë. Thirrjet me frymë fashiste, nuk përfaqësojnë askënd prej nesh dhe nuk guxojnë të përsëriten më.

Reagimi i Mexhitit është mirëpritur nga qytetarë dhe grupe të ndryshme shoqërore që kërkojnë ndëshkim për çdo gjuhë të urrejtjes në hapësirat publike.

Trending