Trendy

Erkan Arifi zyrtarizon rikandidimin për Komunën e Likovës nën siglën e BDI-së: “Likova është gjithçka për mua”

Para 8 muaj

Kryetari aktual i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, ka shpallur rikandidimin e tij për zgjedhjet lokale të ardhshme përmes një statusi në profilin e tij zyrtar në Facebook. Ai ka bërë të ditur se do të garojë për një mandat të ri nën ombrellën e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Në këtë shkrim emocional dhe personal, Arifi ka ndarë lidhjen e tij të thellë me vendlindjen, duke u shprehur:
“Likova s’është thjesht vendi ku jetoj – është familja ime, është historia ime, është gjithçka për mua. Këtu linda, këtu u rrita, këtu i mora hapat e parë të shkollimit; këtu mësova se si duhet jetuar e kujdesur për familjen dhe shoqërinë; mësova ta ndaj kohën, sofrën, traditat bashkë me të tjerët; mësova t’i përulem Zotit për gjithë të mirat që na ka dhënë.”

Arifi ka theksuar se kandidimi i tij buron nga një ndjenjë përgjegjësie dhe dashurie për vendin dhe qytetarët:
“Ju jeni arsyeja pse sërish – me bindje të plotë dhe dashuri të madhe – kandidoj për t’ju shërbyer si kryetar komune.”

Ai ka falënderuar strukturat e BDI-së dhe liderin e saj Ali Ahmeti për mbështetjen dhe besimin e dhënë gjatë gjithë viteve të angazhimit politik:
“Jam thellësisht mirënjohës ndaj të gjitha strukturave të Aleancës Kombëtare për Integrim, subjektit politik që i përkas që nga rinia, BDI-së, si dhe liderit, z. Ali Ahmeti – njeriut që më ka dhënë mbështetje të palëkundur dhe më ka inkurajuar që të vazhdoj misionin për të mirën e qytetarëve tanë.”

Duke folur për të arriturat gjatë mandatit të tij, Arifi thekson progresin që, sipas tij, e ka bërë Komuna e Likovës një ndër komunat më të zhvilluara rurale:
“Likova tashmë bën pjesë në komunat rurale të zhvilluara, e këtë e shihni edhe vetë ku shumë projekte u realizuan, e disa projekte tashmë janë pranuar dhe duhet të realizohen. Për t’u rrumbullakësuar, të patjetërsueshme janë edhe disa projekte të tjera, të cilat do të jenë pjesë e platformës sime për katër vitet e ardhshme.”

Në fund të statusit, ai shpreh mirënjohjen e thellë për qytetarët që kanë qenë pjesë aktive e të gjitha nismave zhvillimore në komunë:
“Nuk mund të mos i falënderoj nga zemra banorët e Komunës sonë, të cilët përmes organizimeve të ndryshme kanë qenë pjesë e pandashme e shumë punëve tona të përbashkëta – pa të cilët, kjo pamje e Komunës së Likovës nuk do të ishte në këtë shkallë.”

Mesazhi i tij përmbyllet me një thirrje për vazhdim të përbashkët të rrugëtimit:
“Përpara, me besim dhe me popullin BASHKË! Gjithmonë i juaji, Erkan Arifi.”

Trending