Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka nisur hetimet ndaj federatës së Maqedonisë së Veriut për fyerjet në baza nacionaliste në ndeshjen ndaj Rumanisë.
Në tribunat e sallës u dëgjuan slogane si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët”, çka shkaktoi reagime të forta si në vend ashtu edhe në rajon.
Federata e Basketbollit e Maqedonisë së Veriut është distancuar nga sjelljet e tifozëve, duke i cilësuar si “veprime të një grupi të vogël individësh që nuk përfaqësojnë vlerat e sportit”.
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili ishte i pranishëm në ndeshje, tha se nuk kishte dëgjuar thirrjet dhe kërkoi që sporti të mos përdoret për përçarje ndëretnike. Ndërkohë, zëvendëskryeministri shqiptar, Izet Mexhiti, dënoi ashpër ngjarjen duke theksuar se kjo sjellje kërcënon bashkëjetesën dhe barazinë në vend.
Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora shqiptare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se retorika e tillë rikthen kujtime të errëta nga historia dhe nuk mund të tolerohet.
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, e quajti incidentin një “alarm për të gjithë komunitetin” dhe kërkoi nga institucionet maqedonase një qëndrim të qartë e të prerë.
Ministrja shqiptare Elisa Spiropali tha se thirrjet raciste janë të papranueshme dhe “nuk kanë vend në një shoqëri moderne dhe sportive”.
Reagimet janë pasuar edhe nga organizata të shoqërisë civile në Shqipëri, Kosovë dhe rajon, të cilat kanë kërkuar hetim të plotë dhe masa ndëshkuese për autorët e fyerjeve.










