Tetova dje u zgjua me një tjetër krismë. Në mes të ditës, në një kryqëzim të mbushur me njerëz, dy makina u përplasën jo vetëm fizikisht, por edhe në një duel të armatosur që la një të vdekur dhe disa të plagosur, mes tyre edhe një vajzë e mitur. Në njërin krah, një “Ford Fiesta” me targa nga Gajre, në tjetrin, një “Volkswagen Golf” ku përfundoi i vrarë një 46-vjeçar nga Tetova.
Për shumëkënd, ky është thjesht lajmi i radhës. Për ata që e njohin historinë e heshtur të qytetit, është një kapitull i ri në një sagë të vjetër: hakmarrja. Jo si metaforë, por si mekanizëm i vërtetë social, i mbijetuar nga koha e Kanunit dhe i ushqyer nga kultura e mosndëshkimit.
Ky nuk është incidenti i parë. Në dhjetor 2023, Çellopeku përjetoi një tragjedi të ngjashme: një konflikt i gjatë familjar shpërtheu për një vend parkimi, duke lënë dy të vdekur dhe dy të plagosur. Asnjë prej këtyre rasteve nuk u shua me pajtim të sinqertë, as me drejtësi të shpejtë. Dhe kur plagët mbeten të hapura, gjaku kërkon gjak.
Në Tetovë, të gjithë e dinë se kush ka konflikt me kë. Policia, po ashtu. Por mes frikës, heshtjes dhe kompromisit politik, rreziku i hakmarrjes është bërë si ajri: i padukshëm, por gjithnjë i pranishëm. Çdo djalë i ri që rritet në këtë klimë mëson shpejt një të vërtetë të hidhur: se drejtësia nuk e ka fjalën e fundit, por pushka.
Ky mentalitet nuk do të shuhet vetë. Ai shuhet vetëm kur organet e drejtësisë bëjnë punën për të cilën ekzistojnë: zbardhin motivet, ndjekin penalisht fajtorët pa kompromis dhe japin një sinjal të qartë se shteti nuk lejon që qytetet të kthehen në skena përplasjeje.
Çdo rast i lënë pezull është një gur tjetër në murin e frikës. Çdo hetim i zvarritur është një ftesë për gjakun e radhës. Dhe çdo heshtje zyrtare është një aleat i hakmarrjes.
Tetova nuk ka nevojë për më shumë vrasje për të kuptuar se ky cikël duhet të ndalet. Ka nevojë për drejtësi – tani. Përndryshe, ne të gjithë do të mbetemi spektatorë të një tragjedie që e dimë si fillon dhe e dimë shumë mirë si përfundon.






