Mbrëmë shpërthyen përleshje të reja mes protestuesve kundër qeverisë dhe policisë në Serbi, kur sërish u dogjën hapësira të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, deklaroi se ka pasur shkelje drastike të rendit dhe qetësisë publike, sulme brutale ndaj policisë, demolime dhe zjarrvënie. Janë arrestuar 18 persona, ndërsa një polic ka mbetur i plagosur.
“Incidentet më të shumta ndodhën në Valjevë, Beograd dhe Novi Sad, por rendi publik është rivendosur në të tre qytetet”, tha Daçiç.
Situata më e rëndë ishte në Valjevë, ku u demoluan zyrat e SNS-së dhe u dëmtuan ndërtesa të institucioneve shtetërore. Policia përdori bomba shokuese dhe gaz lotsjellës kundër një grupi të vogël personash të maskuar, të cilët hodhën mjete piroteknike drejt zyrave të zbrazëta të SNS-së, ku shpërtheu zjarr, por që u shua shpejt.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se protestat në Serbi kanë arritur në “fazën e përleshjeve”.
“Maskat ranë. Nervozizmi dhe histeria e tyre po rriten, dhe dhuna bëhet gjithnjë e më e theksuar, sepse nuk kanë çfarë tjetër të ofrojnë. Po vjen koha e përgjegjësisë dhe të gjithë ata që dogjën dhe shkatërruan do të përgjigjen dhe do të ndëshkohen për krimet e tyre,” tha Vuçiq në Instagram.
Protestat disa mujore kundër korrupsionit, të udhëhequra nga studentët, kanë qenë kryesisht paqësore deri të mërkurën e kaluar, kur shpërthyen përplasjet e para mes protestuesve dhe përkrahësve të Vuçiqit, i cili vazhdon të akuzojë forca të huaja të paidentifikuara për situatën në Serbi.
Ministria e Jashtme e Rusisë i ofroi mbështetje Vuçiqit.
“Nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj asaj që po ndodh në Serbinë vëllazërore. Policia po përdor metoda dhe mjete ligjore për të ndalur turmat e dhunshme, ndërsa rendi publik, siguria dhe jetët e njerëzve janë në rrezik,” thuhet në deklaratën e ministrisë.










