Trendy

Editorial politik: Lufta për akuzën “botës serbe” mes BDI-së dhe VLEN-it

Para 7 muaj

Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut është ndezur një duel i ashpër akuzash dhe kundërakuzash, ku në qendër gjendet nocioni i ndjeshëm i ashtuquajtur “bota serbe”.

Kundërshtarët e BDI-së nuk kursejnë gjuhën e fortë:
“BDI është një parti që e ka shitur dinjitetin e shqiptarëve për interesa personale dhe klanore. Ata e sollën “botën serbe” në zemër të vendit, e futën MTEL-in, lejuan penetrimin e strukturave të nëntokës serbe në kazinotë vendore dhe përmes Bujar Osmanit, punuan për Beogradin dhe kundër Kosovës. Janë të dokumentuara të paktën 11 takime të Bujar Osmanit me zyrtarë serbë, ndërkohë që nuk ka asnjë takim me përfaqësues nga Kosova. Si kryesues i OSBE-së, politika e tij ishte në përputhje me interesat e Beogradit dhe në dëm të Prishtinës. Ky është një fakt i qartë se BDI nuk i përfaqëson interesat kombëtare shqiptare, por vepron si një vegël e diplomacisë serbe”.

Kjo goditje e drejtpërdrejtë përkufizon BDI-në jo si një parti shqiptare, por si një instrument të ndikimit serb në rajon. Argumentet e përdorura janë konkrete: hyrja e MTEL-it, depërtimi i strukturave të nëntokës në kazinotë dhe takimet e njëanshme të Osmanit me Beogradin.

Mirëpo, BDI i kthen akuzat duke e orientuar gishtin drejt qeverisë dhe partnerëve të saj shqiptarë. Në reagimin e saj, ajo i etiketoi VLEN-in dhe partnerët si përgjegjës të rinj për penetrimin serb:
“Në vend që të garantojnë kapital shqiptar dhe zhvillim ekonomik të barabartë, VLEN dhe partnerët e saj po e dorëzojnë sektorin bankar, zemrën e ekonomisë, në duart e Beogradit. Kjo nuk është çështje ekonomike, por çështje sigurie kombëtare. Banka serbe do të thotë ndikim serb mbi kreditë, bizneset dhe vendimmarrjen financiare në vend. Do të thotë kontroll i sektorëve strategjikë dhe dobësim i orientimit euroatlantik”.

Kjo kundërpërgjigje është e fortë, sepse nga një anë synon të kthejë narrativën kundër VLEN-it, ndërsa nga ana tjetër prek një pikë të ndjeshme: sektori bankar. Nëse energjia dhe telekomi për shqiptarët kanë qenë gjithmonë fusha të dyshimta të penetrimit, tani është “zemra e ekonomisë” që përmendet si rrezik sigurie kombëtare.

Në këtë betejë politike për dominim narrativash, në skenë del edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili e sheh BDI-në si një aktor që ende nuk e ka pranuar realitetin e ri opozitar:
“Bashkimi Demokratik për Integrim pas 20 vitesh është në opozitë dhe vështirë e përjeton atë, është e qartë se në kuadër të strukturave të tyre kanë probleme të mëdha, përpiqen që përmes trukeve të caktuara të ushtrojnë presione që përsëri të jenë pjesë e qeverisë….. qeveria, 14 muaj funksionin në mënyrë stabile dhe opinioni e sheh ajo që ndodhte në të kaluarën, korrupsion dhe krim në bazë ditore, kjo nuk është praktikë më, nuk ka sjellje të tilla devijuese, ky është dallimi i madh. Unë i kuptoj, opozita nuk është e mësuar me mënyrë të tillë të menaxhimit të proceseve por duhet të mësohen, të nxjerrin leksione, të reformohen dhe ndoshta do të jenë konkurrentë në ndonjë nga zgjedhjet e ardhshme,” tha Mickoski.

Kjo situatë nxjerr në pah një realitet të ri politik: akuzat për lidhje me “botën serbe” janë kthyer në armën më të rëndë retorike mes partive shqiptare dhe maqedonase në pushtet e opozitë. Çështja tashmë nuk është vetëm përplasja klasike BDI–VLEN, por një garë për të bindur opinionin publik se kush është më autentik në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare dhe orientimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut./tetova1

Trending