Trendy

Kasami takon kryetarët e bashkësive lokale: “Një trup i vetëm do të garantojë bashkëpunim dhe zhvillim”

Para 7 muaj

Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me kryetarët e bashkësive lokale të Tetovës, të fshatrave përreth dhe atyre të Malësisë së Tetovës.

Në fokus të diskutimit ishte themelimi i një Unioni të përbashkët lokal, i cili do të funksionojë si një trup i vetëm me kryesi të vetme për bashkëpunimin me Komunën e Tetovës. Ky union synon nënshkrimin e një marrëveshjeje të përbashkët dhe realizimin e projekteve madhore që kanë për qëllim mirëmbajtjen dhe zhvillimin e fshatrave.

Kasami theksoi rëndësinë e këtij bashkimi:

“Sot zhvillova takim me kryetarët e bashkësive lokale të Tetovës, të fshatrave përreth si dhe nga fshatrat e Malësisë së Tetovës, ku u diskutua për themelimin e një unioni të përbashkët lokal i cili do të shërbejë si një trup i vetëm me kryesi të vetme për bashkëpunimin me Komunën e Tetovës për nënshkrimin e marrëveshjes së përbashkët dhe realizimin e projekteve të ndryshme me qëllim të mirëmbajtjes dhe zhvillimit të fshatrave.”

Gjatë takimit, kryetarët e bashkësive lokale sollën ide dhe propozime mbi mënyrat më efikase të funksionimit të këtij unioni, ndërsa u prezantuan edhe disa nga projektet e reja që pritet të nisin së shpejti.

“Gjatë takimit u hapën diskutime të lira, ide dhe mendime rreth mënyrës se si kjo bashkësi mund të funksionojë në mënyrë sa më efikase. Po ashtu, të pranishmit u njoftuan edhe me projektet e reja që pritet të realizohen së shpejti”, – shtoi Kasami.

Ky hap shihet si një moment historik për bashkëpunimin mes qytetit dhe fshatrave, duke synuar forcimin e lidhjeve institucionale dhe krijimin e një platforme të qëndrueshme për zhvillim afatgjatë.

Trending