Trendy

Taksisti i Zagrebit tronditi turisten, i mori 1500 euro për 1.5 km vozitje

Para 7 muaj

Një turiste nga Zelanda e Re ka përjetuar një mashtrim të rëndë në Zagreb, Kroaci, pasi një taksist i ngarkoi 1.500 euro për një udhëtim vetëm disa minuta të gjatë.

Ngjarja ndodhi në maj, kur Carol Cowan mbërriti në Stacionin Kryesor të Trenit në Zagreb. Në pamundësi për të gjetur një taksi të licencuar, ajo pranoi të udhëtonte me një automjet pa shenja zyrtare, duke besuar se çmimi do të ishte i zakonshëm për një rrugë të shkurtër prej 1.5 kilometrash, deri në rrugën Frankopanska.

Mirëpo, gjatë udhëtimit ajo vuri re se taksimetri po rritej me shpejtësi të pazakontë. Pa e kuptuar menjëherë se shuma shënohej në euro e jo në kuna, Cowan përfundoi duke paguar 1.506 euro, shumë që u tërhoq automatikisht nga karta e saj e kreditit.

“Kjo ishte gati gjysma e buxhetit tim për gjithë udhëtimin në Evropë,” tha ajo e tronditur për median kroate index.hr. E ndjerë e mashtruar dhe e pasigurt, turistes iu desh të anulonte rezervimet dhe ta përfundonte udhëtimin para kohe.

Ky skandal ka ngjallur reagime të forta dhe ka rikthyer vëmendjen tek problemet me transportin informal në Kroaci. Rasti i Cowan shërben si paralajmërim për turistët që të përdorin vetëm taksi të licencuara dhe shërbime të besueshme, në mënyrë që të shmangin abuzime të ngjashme.

Trending