Katër futbollistë shqiptarë janë përfshirë në listën e Zvicrës U21 për ndeshjet e muajit shtator, ku skuadra e shpresave zvicerane nis fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2027, turne që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi.
Ndeshja e parë kualifikuese për Zvicrën U21 do të zhvillohet më 5 shtator në Tallin kundër Estonisë, ndërsa tre ditë më pas, më 8 shtator, ata do të përballen në një miqësore me Shqipërinë U21 në qytetin zviceran Aarau.
Në mesin e të grumbulluarve nga trajneri i Zvicrës janë katër lojtarë shqiptarë: portieri Gentrit Muslija, si dhe futbollistët Labinot Bajrami, Dorian Derbaci dhe Dion Kacuri.
Kjo prani e fuqishme e elementëve shqiptarë në përfaqësuesen U21 të Zvicrës vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë futbollistë me origjinë shqiptare po marrin hapësira dhe po vlerësohen në nivelet e larta të futbollit zviceran.











