Prokuroria e Shtipit ka ngritur akuzë kundër një 43-vjeçari nga Shkupi për shkak të një incidenti fizik më 24 gusht të këtij viti në fushën e futbollit “Bello Bërdo” në Shtip, gjatë ndeshjes së futbollit mes KF Bregallnica dhe KF Shkupi, shkruan Alsat.
43-vjeçari i akuzuar me inicialet A.A. do të ndiqet për Dhunë sipas nenit 386, paragrafi 4 lidhur me paragrafët 3 dhe 1 të Kodit Penal, për çka parashihet dënim prej 1 deri në 5 vjet burg.
I akuzuari, është prind i një futbollisti të KF Shkupit, i cili pasi djali i tij ka marrë karton të kuq, i pakënaqur nga vendimi i referit ka sulmuar dy 15-vjeçarë- lojtarë të Bregallnicës. Me këtë, sipas organit të akuzës e ka rrezikuar rëndë sigurinë e të miturve duke u shkaktuar lëndime trupore, ndërsa te publiku ka shkaktuar ndjenjë pasigurie, rreziku dhe frike.
“Ngjarja ka ndodhur në minutën e 89-të të ndeshjes, kur gjyqtari i lojës për shkak të ndërhyrjes së palejuar i ka dhënë karton të dytë të verdhë me çka e ka përjashtuar nga loja djalin e të akuzuarit, i cili ka luajtur për FK “Shkupi”. I pakënaqur me vendimin, fillimisht djali është sjellë në mënyrë josportive dhe me grushte dhe goditje me këmbë ka tentuar të përleshet me një prej futbollistëve të “Bregallnicës”. Atëherë, në terren ka hyrë babai dhe me grushte dhe shqelma ka filluar t’i godasë dy fëmijë, duke u shkaktuar lëndime trupore. Në terren kanë hyrë edhe persona tjerë nga publiku, të cilët kanë penguar eskalimin e mëtutjeshëm të ngjarjes”, thonw nga Prokuroria Themelore Publike.
Prokuroria deri te Gjykata e Shtipit ka dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit për 43-vjeçarin. Incidentin e ka dënuar edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë. / Alsat.mk









