Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nisur procedurë kundër një shtetasi të Republikës së Kroacisë, i dyshuar për veprën penale “Lëndim trupor” sipas nenit 130 të Kodit Penal.
Sipas të dhënave, në banesën e tij në Shkup ai ka sulmuar fizikisht bashkëshorten, e cila është në muajin e pestë të shtatzënisë. Fillimisht i është drejtuar me ton të lartë, më pas e ka goditur me grushta dhe shuplaka në kokë dhe trup. Dhuna ka vazhduar me shtrëngim të fortë në qafë, për ta hedhur më pas në shtrat dhe për ta goditur me kokë në skajin e krevatit.
Sulmi ka përfunduar vetëm pasi viktima ka filluar të gjakoset, moment kur ka arritur të strehohet në tualet dhe të thërrasë policinë dhe ndihmën e shpejtë. I dyshuari ka ikur nga banesa kur ka dëgjuar se ajo po kërkonte ndihmë.
Te gruaja janë konstatuar lëndime të shumta në kokë si dhe dëmtime të placentës. Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale Shkup caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.










