Trendy

“BDI bashkëpunon me Gruevskin dhe Mijallkovin” – akuza e fortë nga shefi i shtabit të VLEN-it

Para 10 muaj

Shefi i shtabit të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Bujar Osmanit, duke e akuzuar atë për “gënjeshtër në panik” lidhur me takimin me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Dje, Bujar Osmani publikisht e pranoi takimin me të arratisurin nga drejtësia Nikolla Gruevski, ndërsa sot e mohon. Kjo kthesë nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër në gjendje paniku, pasi e pa sa fuqishëm reaguan shqiptarët,” – ka shkruar Azizi.

Ai ka shtuar se lidhjet e BDI-së me ish-krerët e pushtetit në Maqedoni janë të njohura dhe të dokumentuara.

“BDI dhe Bujar Osmani edhe sot bashkëpunojnë me Nikola Gruevskin dhe Sasho Mijallkovin. Arratisja e Gruevskit u organizua me mbështetjen e tyre, ndërsa Ligji për amnisti për Mijallkovin u votua pikërisht me votat e tyre,” – akuzon Azizi.

Sipas tij, shqiptarët e kanë parë për vite se si BDI-ja ka qenë krah për krah me regjimin e kaluar.

“BDI me vite i siguronte kuorum dhe përkrahje Nikolla Gruevskit, gjatë ndërtimit të Shkupit 2014, nga ana tjetër ndodhi rasti ‘Monstra’, rasti ‘Lagjja e Trimave’, dhe të gjitha sulmet kundër shqiptarëve,” – ka theksuar ai.

Azizi e quan hipokrizi sjelljen e Bujar Osmanit.

“Të gjitha këto fakte e zbulojnë hipokrizinë e sotme të Osmanit. Ai dëshiron ta fshijë të vërtetën, por faktet mbesin: BDI është partia që gjithmonë ka qenë në linjë me boshtin Vuçiq–Gruevski,” – shkruan Azizi.

Në fund, ai thekson se shqiptarët do të japin përgjigjen e tyre në zgjedhje:

“Shqiptarët nuk do të mashtrohen edhe një herë. Më 19 tetor ata do të japin përgjigjen e tyre ndaj gënjeshtrave dhe tradhtive të BDI-së,” – ka përfunduar shefi i shtabit të VLEN-it./tetova1

Trending