Trendy

VLEN: Ne në Uashington, Osmani në darka me Lavrovin dhe lidhje të nëndheshme

Para 7 muaj

Koalicioni VLEN reagoi ashpër ndaj ish-ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, duke e akuzuar se gjatë mandatit të tij ka kultivuar lidhje të fshehta me Beogradin dhe ka minuar interesat e shqiptarëve, transmeton tetova1.

“Është më se e vërtetë se ose je me Uashingtonin dhe me Evropën, ose me botën serbe. Ne për një vit kemi zhvilluar takime të pandërprera, kemi thelluar bashkëpunimin me ambasadorë dhe me përfaqësues ndërkombëtarë, kemi realizuar mbi pesë vizita të liderëve të VLEN-it në Uashington vetëm brenda një viti dhe orientimi ynë është i qartë e i padiskutueshëm”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Ata e sfidojnë Osmanin se kujt ia ka hapur dyert gjatë mandatit të tij:
“Bujar Osmani, pyetja është për ty: kujt ia ke hapur derën? Përveç darkave me Lavrovin dhe lidhjeve nëntokësore sërbo-malazeze, kush nga faktori ndërkombëtar ta ka hapur derën gjatë gjithë këtij viti? Askush.”

Në deklaratë theksohet se Osmani ka mashtruar publikisht në disa raste:
“Ti gënjeve për takimin me ish-kryeministrin Nikola Gruevski, publikisht e mohove, por sot ka dëshmi të qarta që të nxjerrin zbuluar. Gënjeve për kontaktet e tua me udhëheqësit shtetërorë të Serbisë, sepse janë dokumentuar së paku njëmbëdhjetë takime të fshehura nga opinioni dhe pa dhënë asnjëherë llogari. Gënjeve për hyrjen e kapitalit serb në sektorin e telekomunikacionit, sepse ishte pikërisht gjatë mandatit tënd kur u dha leja për kompaninë MTEL. Dhe ishe një nga përkrahësit më të zëshëm të projektit të dështuar “Ballkani i Hapur”.”

VLEN përfundon komunikatën duke nënvizuar kontrastin:
“Derisa VLEN i forcon lidhjet me Uashingtonin dhe me faktorët perëndimorë, ti i ke shtruar tapetin e kuq botës serbe.”

Trending