Trendy

Zekolli: Historike, 25 milionë euro investim për sheshin “Skënderbeu” dhe parkingun modern nëntokësor

Para 7 muaj

Zëvendësministrja e Transportit, **Kaltrina Zekolli**, ka bërë të ditur sot se është hapur thirrja për tenderim për projektin më të madh kapital në historinë e Komunës së Çairit – ndërtimin e fazës së tretë të sheshit “Skënderbeu”, i cili përfshin edhe parkingun modern nëntokësor.

Ky investim i cili kap vlerën mbi 25 milionë euro, financohet nga Qeveria dhe Ministria e Transportit, duke e vendosur Çairin në qendër të zhvillimeve moderne urbane.

Zekolli sqaroi se projekti do t’i japë një funksion krejtësisht të ri sheshit “Skënderbeu”: parkimi mbi sipërfaqe do të eliminohet, ndërsa hapësira e liruar do të shndërrohet në një shesh të hapur për qytetarët, të përshtatshëm për tubime publike, manifestime dhe ngjarje kulturore.

Ndërkohë, parkimi do të transferohet në dy nivele nëntokësore, me një sipërfaqe prej 12.520 metrash katrorë dhe kapacitet për mbi 400 automjete, duke ofruar një zgjidhje të qëndrueshme për mungesën e vendeve të parkimit në zonën e Çarshisë.

“Ky projekt madhor është shembulli më i mirë i qeverisjes sonë me përgjegjësi. Ne nuk bëjmë vetëm premtime, por vepra. Qëllimi ynë është të sjellim investime kapitale, të realizojmë projekte strategjike dhe ta modernizojmë Çairin,” – deklaroi Zekolli.

Me këtë projekt, Çairi pritet të fitojë një hapësirë dinamike dhe funksionale, e cila jo vetëm do të lehtësojë jetën e përditshme të qytetarëve, por edhe do të gjallërojë funksionin kulturor e tregtar të një prej zonave më të rëndësishme të Shkupit.

Trending