Radiotelevizioni Italian (RAI) ka njoftuar nisjen e programimit të parë në gjuhën arbëreshe në rajonin e Kalabrisë, duke shënuar një hap historik për mbrojtjen e gjuhëve minoritare dhe trashëgimisë kulturore në Itali.
Ky projekt realizohet në kuadër të Ligjit 482 të vitit 1999, i cili garanton mbrojtjen e pakicave historike gjuhësore, dhe është rezultat i një marrëveshjeje mes RAI-t dhe Departamentit për Informacion dhe Botime pranë Presidencës së Këshillit të Ministrave të Italisë.
Sipas marrëveshjes, gjatë 13 muajve të ardhshëm RAI do të prodhojë e transmetojë emisione në gjuhën arbëreshe, duke përfshirë lajme, tema kulturore, muzikë dhe materiale të tjera që lidhen me jetën e komunitetit arbëresh. Ky programim do të zhvillohet në nivel rajonal, me fokus fillestar në Kalabri, ku jeton edhe pjesa më e madhe e arbëreshëve.
Iniciativa shihet si një moment i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe identitetit arbëresh, që ka mbijetuar për shekuj në Kalabri, Sicili dhe rajone të tjera të Italisë së Jugut. Ajo gjithashtu përforcon marrëdhëniet kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, duke u dhënë arbëreshëve një hapësirë të re në mediat kombëtare.





