Trendy

Toshkovski: Kemi sulme hibride dhe ato vijnë nga disa drejtime

Para 6 muaj

Autoritetet hetuese kanë gjurmë ose persona të dyshuar që janë prapa qendrave të fuqisë, të cilat sipas pretendimeve të kreut shtetëror qëndrojnë pas serisë së zjarreve në vend, me theks të veçantë në kryeqytet, gjatë periudhës së kaluar. Këtë sot e tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, por pa dhënë më shumë detaje. Sipas Toshkovskit, vendi është shënjestër e sulmeve hibride dhe për këtë nuk ka dyshime.

“Fakt është se në Maqedoni kemi sulm hibrid gjatë muajve të fundit nga disa drejtime, në disa fusha. Kemi rrezikim të disa pikave vitale në shtet, këtë e shohim të gjithë, e sheh populli, e shihni ju gazetarët, e shohin edhe institucionet. A veprojmë? Po, veprojmë. A mund të jap më shumë informacione në opinion në këtë moment? Jo”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Toshkovski tha se nuk mund të kumtojë më shumë se kaq, pasi kjo do ta rrezikonte hetimin që është në rrjedhë. Deklarata të tilla për sulme hibride dhe sulme nga qendra të fuqisë nga brenda e jashtë erdhën nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, si dhe nga kryeministri Hristijan Mickoski, i cili për këtë foli edhe në intervistën në Alsat. Megjithatë, as ai nuk dëshironte të specifikonte saktësisht se për çfarë qendrash fuqie bëhet fjalë dhe kush dëshiron ta rrezikojë sigurinë shtetërore. Ky narrativ filloi pas serisë së zjarreve në deponitë Vardarishtë dhe Drislla, por edhe pas zjarreve në depon e mbetjeve elektronike në Trubarevë dhe në servisin e automobilave në Shkup, nga ku u shfaq edhe një video e një personi që e ndez zjarrin. Për një pjesë të këtyre rasteve policia dhe prokuroria po zhvillojnë procedura ndaj disa personave, megjithatë, deri tani në opinion nuk janë bërë të njohura motivet. Pavarësisht zhvillimeve dhe deklaratave Këshilli i Sigurisë nuk ka mbajtur asnjë mbledhje. /Alsat.mk

Trending