Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmshi, mbajti sot një fjalim në ngjarjen kushtuar trendeve demografike dhe prezantimit të programit pesëvjeçar të Qeverisë në bashkëpunim me UNFPA.
Ai theksoi se njerëzit janë pasuria më e madhe e shoqërisë, ndërsa sfidat si ulja e natalitetit, emigrimi i të rinjve dhe plakja e popullsisë kërkojnë politika të reja dhe efikase.
“Me Planin operativ për vitin 2025, me vlerë 40 milionë euro, kemi hedhur themelet. Programi përfshin mbi 16 mijë persona, 65% prej të cilëve janë të rinj. Mbështesim vetëpunësimin me grante deri në 10 mijë euro, trajnim, mentorim dhe rikualifikim,” tha Durmshi.
Ministri nënvizoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes, duke përmendur gratë nga zonat rurale, personat me aftësi të kufizuara, përdoruesit e ndihmës minimale dhe gratë rome si përfitues kryesorë. Ai shtoi se bashkëpunimi me UNFPA është “vizion dhe strategji për të ardhmen”, duke theksuar nevojën për infrastrukturë moderne, digjitalizim dhe mbështetje për startap-et, si dhe vlerësimin e kontributit të punëtorëve të moshuar.
Durmshi falënderoi përfaqësuesit e OKB-së dhe UNFPA-së për mbështetjen, duke përfunduar se “e ardhmja jonë matet në njerëz, në çdo talent dhe në çdo të ri që zgjedh të ndërtojë të ardhmen këtu, në shtëpi”.










