Bora e parë e këtij sezoni ka goditur Ballkanin Perëndimor me intensitet të jashtëzakonshëm, duke sjellë probleme të shumta dhe një situatë të pazakontë për muajin tetor.
Në Serbi dhe Bosnje, reshjet e dendura të borës kanë mbuluar zonat malore, duke rrëzuar linjat e energjisë elektrike dhe pemë, çka ka lënë pa rrymë dhe pa ngrohje mijëra banorë. Meteorologët serbë paralajmërojnë se në disa zona malore trashësia e borës mund të arrijë deri në gjysmë metri – një rekord i pashembullt për këtë periudhë të vitit.
Komuna e Ivanjicës në Serbinë qendrore ka shpallur gjendje emergjente, ndërsa në komunat jugperëndimore Medvegjë dhe Crna Trava, banorët kanë mbetur edhe pa ujë të pijshëm dhe pa rrjet telefonik.
Vetëm pak ditë më parë, temperaturat në rajon shënonin mbi 30 gradë Celsius, duke krijuar kontraste ekstreme brenda një kohe të shkurtër. Sipas ekspertëve, këto luhatje të forta klimatike – nga vapë verore në stuhi bore – lidhen drejtpërdrejt me efektet e ndryshimeve klimatike, të cilat po e bëjnë motin gjithnjë e më të paparashikueshëm.










