Kandidati i AKI për zgjedhjet lokale në Tetovë, Bajram Rexhepi, në një konferencë publike theksoi rëndësinë e procesit zgjedhor që po afrohet, duke bërë thirrje për ruajtjen e dinjitetit qytetar dhe kundërshtimin e çdo përpjekjeje për blerje votash.
“Jemi në prag të zgjedhjeve lokale. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për ne, për fëmijët dhe prindërit tanë, sepse nga ato varet e ardhmja jonë. Por sot dua të ngre një shqetësim të madh: unë e di se tetovari nuk blihet, nuk shitet, nuk nënçmohet për një grusht parash,” tha Rexhepi.
Ai akuzoi se ka tentativa për të ndikuar tek qytetarët përmes ofertave financiare dhe kontratave pune, duke shtuar se kjo është një “lojë e pistë” që synon të shantazhojë dhe nëpërkëmbë qytetarët.
Nga foltorja, Rexhepi iu drejtua edhe disa kompanive, të cilat nuk i përmendi me emra, duke i paralajmëruar që të mos përfshihen në këto veprime:
“Mos u bëni vegël e një pakice vasalësh. Mos luani me dinjitetin e të parëve tuaj dhe të pasardhësve tuaj. Sot është koha për reflektim, nesër do të jetë vonë. Nëse vazhdoni kështu, do t’ju demaskojmë fuqishëm.”
Në fund, Rexhepi tha se kjo ishte hera e parë dhe e fundit që ai flet publikisht në këtë mënyrë, duke paralajmëruar përgjegjësi ligjore për të gjithë ata që tentojnë të ndikojnë te votuesit përmes shantazhit dhe ryshfetit.





