Trendy

Mexhiti: BDI-Danella dhe Levica përgjegjëse për kaosin dhe papastërtinë në Shkup

Para 6 muaj

Kryetari i ri i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes alarmante të ndotjes në kryeqytet, duke e cilësuar situatën si pasojë të papërgjegjësisë institucionale të koalicionit që drejton ndërmarrjen publike “Higjiena Komunale – Shkup”.

“Shkupi është katandisur në një gjendje të rëndë të mbeturinave. Rrugët, lagjet dhe hapësirat publike janë lënë pas dore, duke u kthyer në pasqyrë të papërgjegjësisë institucionale,” – ka shkruar Mexhiti.

Ai theksoi se fajtorë për këtë situatë janë drejtuesit aktualë të ndërmarrjes, të cilën e menaxhon koalicioni BDI – Danella – Levica.

“Menaxhimi i mbeturinave komunale në Shkup bëhet përmes ndërmarrjes publike ‘Higjiena Komunale – Shkup’, e cila aktualisht drejtohet nga koalicioni BDI – Danella – Levica. Këta mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kaosin dhe papastërtinë që ka pushtuar qytetin,” – ka deklaruar Mexhiti.

Në statusin e tij, kryetari i Çairit ka njoftuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme mbi punën e ndërmarrjes për shkak të gjendjes alarmante në terren.

“Të nderuar banorë, ju njoftoj se sot Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme ndaj mënyrës së mbledhjes dhe transportit të mbeturinave në territorin e Qytetit të Shkupit, për shkak të gjendjes alarmante të krijuar ditëve të fundit.”

Sipas Mexhitit, kontrollet do të përfshijnë edhe hetim të detajuar mbi punën e ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale – Shkup”, për shkak të mosfunksionimit normal të shërbimeve.

“Gjithashtu, Qeveria ka urdhëruar që të bëhet kontroll i detajuar mbi punën e Ndërmarrjes Publike ‘Higjiena Komunale – Shkup’, për shkak të mosmbledhjes së rregullt të mbeturinave, e cila po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve.”

Në fund, Mexhiti paralajmëron aksion të gjerë pastrimi në të gjithë qytetin, duke theksuar se administrata e re do të punojë në funksion të qytetarëve dhe dinjitetit të tyre.

“Shumë shpejt do të ndërmarrim aksion të plotë për pastrimin e qytetit, sepse qytetarët e Shkupit meritojnë pastërti, dinjitet dhe një administratë që punon për ta.”

Trending